April 27, 2024
Maqedoni

Filloristët përfunduan vitin shkollor

Filloristët i thanë lamtumirë vitit shkollor 2022-23, katër ditë më vonë nga data e zakonshme 10 qershor. Përfundimin e vitit nxënësit e shënuan më këngë e valle, e madje edhe me kremtimin e ditëlindjeve.

Ndërsa të tjerët argëtoheshin, disa prej nxënësve dorëzuan librat e vjetër me shpresë që vitin e ardhshëm do të pajisen me libra të reja. Siç thanë filloristët, gjatë këtij viti kishin mësuar shumë gjëra të reja.

“Do ti mbaj mend të gjitha librat që i kemi mësuar dhe të gjitha mësimet që i kemi mësuar”, tha një nxënëse.

“Mua më ka lënë përshtypje lektyra “Doktori of më dhemb” që më ka pëlqyer shumë. Mësuesja ka bërë shumë gjëra që ne të marrim njohuri”, u shpreh një nxënëse tjeter.

“Po mërzitemi që sot po ndahemi nga shokët dhe shoqet. Shpresoj, në shtator të gjithë të jemi bashkë”, tha një tjetër nxënëse.

Ditët e pushimeve verore, nxënësit thanë se do t’i kalojnë në mënyra të ndryshme. Disa me pushime jashtë vendit ndërsa shumë të tjerë me aktivitete sportive.

“Kemi mësuar shumë dhe kemi qenë shumë të suksesshëm. Unë ushtroj në sportin e karatesë dhe do të argëtohem shumë në pushimet verore, nxënëse.

“Ky vit shkollor ishte shumë i mirë, kam mësuar shumë gjëra të reja që nuk i kam dit më herët. Në pushimet verore nëse kemi ku për të shkuar do të shkojmë. Pak do të lexojmë, pak do të pushojmë dhe do të bëjmë aktivitete tjera”, tha një nxënëse.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se ky vit shkollor do të mbahet mend për sfida të ndryshme, posaçërisht menaxhimin e teksteve shkollore dhe paralajmërimet për bomba.

“Filluam një procedurë shumë të stërgjatur për aprovimin e teksteve, për më tutje printimi, dorëzimi i tyre. Për atë pjesë besoj që nga ana e komisionit ose këshillit për aprovimin e teksteve nga ana e personave përgjegjës në drejtorinë pedagogjike po qoftë edhe të ministrisë ndoshta do të duhej një punë më e madhe për të arritur më shumë kohë që për këtë vit të ardhshëm shkollor. Nga ajo pjesë nuk jam shumë i kënaqur por falënderues ndaj mësimdhënësve”, deeklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

Ndërsa ky vit shkollor përfundoi, akoma ka paqartësi se kur do të fillojë viti i ri shkollor. Një ndër opsionet që po shqyrtohet është nisja e mësimeve kah mesi i shtatorit e jo në 1 shtator.