May 3, 2024
Maqedoni

Fillojnë Ditët e Nënë Terezës

Me ekspozitën e mozaikëve të rektorit të Universitetit “Nënë Tereza” – Shkup, Izet Zeqiri sot fillojnë Ditët e Nënë Terezës.

Ekspozita e titulluar “Nëna Terezë – nga Shkupi në Kalkutë” do të jetë e hapur paraditen e sotme në Shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës.

Për nesër është planifikuar orë poezie e Shoqatës së shkrimtarëve “OENEUM” – Tetovë, ndërsa më 29 gusht do të promovohet kënga dhe videoklipi kushtuar Gonxhe Bojaxhiut.

Në kuadër të Ditëve do të ketë edhe lexim poezish kushtuar Nënë Terezës – Shoqata e shkrimtarëve “ABC Poetike”, shfaqja e filmit “Diçka e bukur për Zotin”, promovimi i përmbledhjes me poezi për Nënë Terezën – Shoqata qytetare “Shkupjania Nënë Tereza”, si dhe leximi i tregimeve nga konkursi letrar. Do të ndahen çmime dhe certifikata mirënjohjeje.

Ditët e Nënë Terezës do të përmbyllen më 5 shtator me një aksion të dhurimit të gjakut në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të RMV-së.