Filipçe: Plani ynë është që të gjithë fëmijët të kthehen në shkollë
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka konfirmuar atë çfarë paraprakisht gjatë ditës e deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska se plani i Qeverisë është që nga shtatori, të gjithë nxënësit të kthehen në bankat shkollore.
“Protokollet kanë përfunduar, janë definuar karakteristikat dhe ato janë paksa të ngjashme, përveç se në një pjesë për shfrytëzimin e hapësirave të ndryshme të shkollave. Plani ynë është, normal sipas situatës epidemiologjike, nëse është kështu e qetë sikurse tani, të gjithë nxënësit të kthehen në shkolla. Kjo është diçka që e duam të gjithë ne”, sqaroi Filipçe, transmeton TV21.
Në gusht mund t’i jepet fund epidemisë
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se nëse vazhdon ritmi aktual i infektimeve nga Covid-19, mund të ndodh që në muajin gusht të shpallet fundi i epidemisë.
“Që të shpallet fund i epidemisë duhet që dy cikle reproduktive prej 14-ditësh të mos ketë raste të diagnostikuara dhe ka disa parashikime te ne se si do të mundte ajo të ndodh. Nëse vazhdon ky trend, kjo do të ndodhte në muajin gusht apo në fillim të shtatorit”, tha Filipçe në tribunën “Vaksinimi dhe sfidat e Covid-19”, transmeton TV21.
Ka shtuar se spitalet janë thuajse të zbrazët dhe gjatë natës së kaluar nuk është paraqitur asnjë pacient i dyshuar për Covid-19.
Ndërkaq në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë, 3 raste të reja dhe 6 të shëruar nga Covid-19.
Epidemiologët të ndarë për organizimin dasmave në ambiente të mbyllura
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se ka kërkesa që dasmat të organizohen në ambiente të mbyllura.
Megjithatë sipas tij, epidemiologët janë të ndarë në lidhje me këtë kërkesë.
“Do t’i shqyrtojmë ato kërkesa. Mund të them se epidemiologët janë të ndarë për dasmat në ambiente të mbyllura. Po bëjmë përpjekje që të shohim se a mund të bëjmë diçka dhe nuk mund të konfirmojmë nëse do të kemi përkeqësim të gjendjes”, tha Filipçe.
Dita e tretë pa asnjë viktimë nga virusi
Janë bërë tre ditë që kur në Maqedoninë e Veriut nuk është regjistruar asnjë viktimë nga Covid-19.
Në 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nuk është regjistruar asnjë rast vdekjeje si pasojë e Covid-19.
Vdekje nuk ka pasur as më datë 27 dhe 26 qershor.
Që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë nga Covid-19 kanë ndërruar jetë 5.484 pacientë. Nga gjithsej 155.676 të sëmurë, prej tyre janë shëruar 149.967 persona.
Ndërkaq, në 24 orët e fundit janë regjistruar 3 raste të reja dhe 6 të shëruar nga Covid-19.