Maqedoni

Filipçe: Nga 9.000 termine të caktuara, vetëm 4.500 qytetarë janë paraqitur për vaksinim

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në paraqitjen e tij të sotme tha se vaksinimi masiv në vend pritet të vazhdojë me vaksinat Pfizer dhe Sinopharm, transmeton Alsat.

“Rreth 10 mijë vaksina Pfizer do të arrijnë çdo të hënë, rreth 50 mijë vetëm në muajin maj. Më tej, diku rreth 15 ose 14 maj do të vijnë vaksinat shtesë të Sinopharm që janë donacion nga Kina. Kjo do të jetë numër i mjaftueshëm që të vazhdohet procesi i vaksinimit”, tha mes tjerash Filipçe.

Filipçe komentoi edhe ditën e parë të vaksinimit masiv në vend. Sipas tij ditëve në vijim do të shihet se pse qytetarët që kanë marrë termin për vaksinim, nuk janë paraqitur për tu imunizuar.

“Do të shohim sot si do të shkojë procesi. Gjatë ditës së djeshme nga 9 mijë qytetarë që kanë marrë termine, vetëm rreth 4.500 janë paraqitur për vaksinim. Do të tentojmë që sot të identifikojmë problemin. Sinqerisht shpresoj që jehona mos të vazhdojë kështu”, tha mes tjerash Filipçe.