Maqedoni

Fetai uron Fitër Bajramit: Të mos harrojmë në gëzimet tona t’i përfshijmë edhe njerëzit tanë që janë në nevojë

Kreu i BFI-së, Shaqir Fetai përmes një video mesazhi ka uruar qytetarët me rastin e Fitër Bajramit, përcjell TV21. Fetai thotë se ndjen keqardhje për përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërkaq bën thirrje që në këto ditë feste të mos harrohen ata që më së tepërti kanë nevojë për ndihmë dhe mëshirë në mesin e qytetarëve.

“Në këto momente ndjem keqardhje për ndarje nga ky muaji i begatë, por njëkohsisht dhe me plotë arsye ndjehemi më krenarë, sepse, me agjërim e me lutje, me ibadete e mirësi, duke triumfuar mbi të keqen, të ligën, të shëmtuarën, arritëm që të jemi më të devotshëm pranë Krijuesit tonë Mëshirëplotë. Në këto ditë festive të Fitër Bajramit do ta falënderojmë Allahun xh.sh. për atë që na e mundësoi të agjërojmë Ramazanin, do ta falënderojmë për të mirat që na i ka dhënë! Por, të mos harrojmë: në gëzimet tona t’i përfshijmë edhe njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadakatul Fitrit, për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta. Po ashtu, me dhënien e Fitrit ne i mëkëmbim dhe përforcojmë institucionet e thirrura për përhapjen e mësimeve islame si dhe ndihmojmë personat në nevojë. Sot,  në këtë ditë të gëzimit të Fitër Bajramit, me zemra të pastra i drejtohemi Allahut të Gjithëmëshirshëm  që të na japë fuqinë imanit, guximin e faljes dhe të pajtimit, buzqeshjen me të tjerët,  për të hapur rrugët e shpresës për të ardhmen”, thotë Fetai mes tjerash në urimin e tij.