Maqedoni

Fëmiu i parë i vitit 2023 në Veles është shqiptar

Mëngjesin e 1 janarit në ora 07:50 në spitalin Velesit ka lindur foshnja e parë, në vitin e ri 2023. Është i gjinisë mashkullore, lindur nga nëna Hakie (20 vjeç) dhe babai Fatir Beqiri (26 vjeç) nga Jabollçishtja e Madhe. Ky është fëmiu i tretë i familjes, të cilët paraprakisht kanë pasur një djalë dhe një vajzë.

“Fëmija ka lindur në mënyrë spontane, foshnje mashkull, i vlerësuar nga pediatri me notën më të lartë. Peshon 3.9 kg, kurse nga pikëpamja jonë obstetrike nëna është në gjendje të shkëlqyer”, tha mjekja Gorgiçe Nikolov, shefe e departamentit të obstetrikës dhe gjinekologjisë. Lindjen e ka bërë gjinekologia Dr. Violeta Nikolov, së bashku me ekipin kujdestar nga reparti i obstetrikës.

Gjatë vitit 2022 në këtë departament kanë lindur 383 foshnje, kurse në vitin 2021 lindën 396 foshnje. Rënien e numrit mjekët ia atribuojnë largimit të të rinjve nga qyteti dhe vendi, por edhe gjendjes socio-ekonomike. Në vitin e kaluar 2022, pati më shumë raste të lindura binjake, por jo trenjake. Departamenti thekson se ka pasur raste të shumta të foshnjes së tretë të lindur në një familje.

Kryetari i Komunës së Velesit, Marko Kolev, nënës së të porsalindurit i dhuroi çek në vlerë prej 15 mijë denarëve. /Lideri.mk