May 10, 2024
Maqedoni

Fatime Fetai kërkon “remont” në gjyqësor dhe prokurori

Nevojitet një remont, një rizgjedhje e përgjithshme e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë të shkallës së dytë dhe të tretë, gjegjësisht rizgjedhje e gjyqtarëve të apelit dhe supremes dhe prokurorëve të lartë nga Prokuroria e Shtetit, vlerëson prokurorja e Prokurorisë së Lartë Publike, Fatime Fetai, e cila dikur ka qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Publike, tashmë të shuar.

Kështu Fetai tha në debatin “Zgjedhja dhe avancimi në institucionet gjyqësore – Përmes transparencës dhe cilësisë më të madhe, të rritet besimi i qytetarëve në gjyqësor”, transmeton Lideri.mk.

Ajo vlerëson se metodat tjera janë shterur.

“Besoj se nevojitet një remont, një rizgjedhje e përgjithshme e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë të shkallës së dytë dhe të tretë. Si do të shkonte ajo rizgjedhje, ka disa pika. Së pari gradualisht, nga një e treta, në mënyrë që të mos jetë thjesht formale. Çfarë duhet të kërkojmë me atë rizgjedhje?”, pyeti Fetai, për t’u përgjigjur: “Profesionalizëm, por edhe integritet të dëshmuar dhe rezultate të arritura në punë”.

– Ka ende një mungesë apo besim minimal tek gjyqësori nga qytetarët. Ajo që na mungojnë nuk janë rregulla më specifike, nuk janë ligje të reja, por duhen juristë që kanë aftësi të zbatojnë kornizën ligjore, frymën e ligjit dhe vlerat shoqërore që mbron ligji”, tha Fetai, transmeton Lideri.mk.

Fatime Fetai fitoi simpatitë e opinionit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut me qasjen e guximshme fillestare ndaj rasteve të PSP-së, por këto simpati i humbi te pjesa më e madhe e opinionit shqiptar si prokurore tek rasti “Monstra”./Lideri.mk