Maqedoni

“Falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd”, kreu i BFI-së uron Bajramin

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai ka dërguar urimin e tij për nder të festës islame, Kurban Bajramit, përcjell TV21.

Urimi në formë të integruar:

HUTBJA E REISUL ULEMASË ME RASTIN E KURBAN BAJRAMIT BAJRAMIT 2023

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ ‎﴿١﴾‏ فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ ‎﴿٢﴾‏ إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ ‎﴿٣﴾

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj, ti falu dhe pre kurban për hir të Zotit tënd! E, s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.” (El-Keuther: 1-3)

Të nderuar besimtarë e besimtare, vëllezër e motra.

Sot është Kurban Bajrami, festë e madhe për ne muslimanët sepse kjo festë është shumë dimenzionale. Në radhë të parë kjo festë ndërlidhet me kryerjen e Kushtit të pestë të Islamit – Haxhin. Dje dhe mbrëmë, miliona haxhinjë kryen dispozitat e haxhit: qëndruan në Arefat dhe në Muzdelife. Sot, ata janë në Mina, vend dhe ditë në të cilin Ibrahimi, alejhi selam, ka prerë kurban.

Kjo festë na e përkujton se pavarësisht nga dallimet tona, të gjithë ne jemi, krijesa të një Krijuesi. Të gjithë jemi të një babe dhe një nëne. Sot edhe më tepër ne kemi nevojë për besim të sinqertë dhe të pastër në Gjithëmëshirshmin, i cili do të na bashkojë rreth një origjine dhe kuptimi të përbashkët të shoqërisë njerëzore. Kjo festë na nxit neve, që në veprimet tona, përparësi t`i japim bashkëpunimit me njëri-tjetrin dhe zgjidhjes së sfidave që i sjell koha.

Ditët e Haxhit dhe Bajramit, po ashtu na e përkujtojnë rrugën e jetës së Ibrahimit a.s. i cili është shembull i sakrificës njerëzore dhe i besimit te Allahu i Mëshirshëm. Përmes shembullit të tij, i Lartëmadhëruari na tregon vlerën e jetës njerëzore dhe kuptimin e sakrificës njerëzore. Ibrahimi na mësoi se jeta njerëzore është e vlefshme vetëm kur i përkushtohet Zotit dhe vlerave më të larta shoqërore. Rruga e jetës së Ibrahimit dhe djalit të tij Ismailit është rruga e ndjekur nga i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi a.s., i cili e përtëriu dhe vazhdoi misionin e tyre.

Në këto ditë feste të Kurban Bajramit besimtarët në praktikë dëshmojnë besimin e tyre, duke ndarë nga pasuria tyre për të bërë kurban si një përkushtim ndaj Krijuesit, si një simbolikë e gatishmërisë së Ibrahimit a.s. për të flijuar birin e tij Ismailin, për të çuar në vend premtimin e dhënë Allahut Fuqiplotë, veprim ky i cili përfundoi me ndihmën e Zotit duke dërguar një kafshë për ta prer, në vend të Ismailit a.s.
Ky akt ia bëri me dije njerëzimit se ndihma e Zotit vjenë atëherë kur njeriu mobilizon të gjitha potencialet e tij fiziko – shpirtërore për të flijuar më të dashurën dhe më të shtrenjtën e jetës për Krijuesin. T`i përkushtohesh Zotit me gjithçka që ke do të thotë të kesh vetëdije të lartë mbi ndryshimin e botës drejt ngritjes së njeriut, vlerës më të madhe që krijoi Zoti.

Njeriu është krijesa më e shtrenjtë, ndërsa angazhimi në shërbim të njerëzve, e sidomos të atyre në nevojë është vlera më e madhe e njeriut dhe jetës së tij. Andaj, kjo festë është rezultat i gëzimit për formimin e një ambienti të flijimit të më të shtrenjtës nga e cila buron dashuria ndaj Zotit, për kushtimin daj solidarizimit, humanitetit, moralit, paqes dhe dinjitetit.

Të kryesh urdhrin e Zotit duke prerë kurban, do të thotë përgatitje e lartë për t’u vënë në shërbim për tjetrin për një jetë pa keqpërdorime, manipulime, korrupsion, amoralitet, destruktivitet dhe për të qenë person dinjitoz për të bartë amanetin e shenjtë në familje dhe shoqëri me përgjegjësi dhe sakrificë të mundit, dijes dhe nderit, m’u ashtu si gatishmëria e Ibrahimit a.s. për të flijuar më të dhimbshmen dhe më të dashurën, birin e tij Ismailin, e Ismaili për të flijuar jetën e tij, vetëm për një qëllim, realizimi i idealit hyjnorë që lëviz rrjedhat e të së mirës dhe mirëqenies gjatë jetës së njeriut.

Të flijosh në ditët e sodit, nënkupton që tërë kapaciteti dhe angazhimi jonë si shoqëri duhet të orientohet në gjetjen e mundësive për ndaljen e migracionit dhe parandalimin e largimit të kuadrove të reja nga të gjitha sferat e jetës. Kjo plagë e kamotshme mund të ndërpritet vetëm duke krijuar kushte dhe mundësi ku rinia ta gjejë perspektivën e vetë në këtë nënqiell. Por mbi të gjitha, mbrojtja e vlerave tradicionale familjare si në strukturë ashtu edhe në moral është bërthama e shoqërisë së shëndoshë.

Ja si na e përkujton i Madhi Zot këtë koncept emocional në mes babait, Ibrahimit a.s. dhe të birit, Ismailit a.s. :

“… يَا بُنَيَّ إِنِّي أَرَىٰ فِي الْمَنَامِ أَنِّي أَذْبَحُكَ فَانظُرْ مَاذَا تَرَىٰ ۚ قَالَ يَا أَبَتِ افْعَلْ مَا تُؤْمَرُ ۖ سَتَجِدُنِي إِن شَاءَ اللَّهُ مِنَ الصَّابِرِينَ ‎. ‏
“… (Ibrahimi tha ), O biri im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durimtarëve!” (KaptinaAssafaat, 102)

Vëllezër e motra!

Në këtë ditë të madhe të Festës së Kurban Bajramit, më lejoni që nga thellsia e zemrës dhe e shpirtit, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të vendit tonë, në emër të organeve dhe institucioneve të saja dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve në vend dhe jashtë vendit ku do që jetojnë dhe veprojnë, u shpreh urimet tona duke e lutur Allahun Fuqiplotë t’i pranojë lutjet tona, kurbanët tonë, haxhin nga haxhilerët që janë duke e kryer si dhe të gjitha ibadetet tona të bëra gjatë këtyre ditëve të bekuara.

Le të jetë kjo festë, festë e gëzimit të zemrave tona, festë e respektit ndaj njëri tjetrit, festë e afrimit me të tjerët, festë e gëzimit dhe kënaqësisë të njerëzve në nevojë, festë e faljes, festë e paqes e solidaritetit, dhe festë përmes së cilës do ta përfitojmë kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë.

Pra, e gëzofshi Festën e Madhe të Kurban Bajramit.

Shkup, 28 qershor 2023 Reisul-Ulemai BFI-së
H. Hfz. Shaqir ef.Fetai