Kolumna

“Faktori politik shqiptar, dekor i demokracisë në Maqedoni”

Në kohën e shkëputjes së Maqedonisë nga Jugosllavia, shqiptarët nuk kishin:
– klasë politike të mirëfilltë;
– klasë intelektuale akademike;
– klasë shoqërore relevante.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, shqiptarët nuk kishin klasë politike të mirëfilltë ngase gjatë periudhës së viteve 1945-1991 nuk konsideroheshin subjekt apo faktor politik shtetformues. Të lënë në margjinat e proceseve politike, shqiptarët nuk kishin si të krijonin klasë politike. Në pozita politike dhe shoqërore të caktuara emëroheshin vetëm ata shqiptarë që ishin të përshtatshëm për politikën sllavo-maqedonase. Në vitin 1986 e më pas, shtypi i Beogradit, shqiptarët e këtillë do t’i quajë shqiptarë të ndershëm. Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, shqiptarët nuk kishin klasë intelektuale të fuqishme ngase nuk posedonin asnjë institucion kulturor dhe shkencor kombëtar. Në institucionet kulturore dhe shkencore shtetërore, d.m.th. sllavo-maqedonase, nuk ishin të përfshirë fare. Në vitin 1991 e më pas, shqiptarët nuk kishin klasë shoqërore relevante për arsye se në periudhën e pasluftës, d.m.th. në vitet 1945-1991, ishin në margjinat e proceseve ekonomike dhe financiare.
Rrjedhimisht, edhe organizimi politik i shqiptarëve në Maqedoni, në fillim të viteve të pluralizmit, nuk ishte në lartësi të duhur. Kështu që faktori politik shqiptar:
– asnjëherë nuk arriti të veprojë si një faktor i bashkuar dhe unik;
– nuk ndërtoi një platformë politike të përbashkët;
– nuk e përkufizoi drejt dhe saktë kauzën shqiptare në Maqedoni
– nuk e artikuloi saktë interesin kombëtar;
– nuk e përcaktoi drejt dhe saktë mënyrën e veprimit politik.
Me kapacitet politik dhe intelektual të pamjaftueshëm, faktori politik shqiptar në Maqedoni, pa arritur një marrëveshje historike dyetnike me faktorin sllavo-maqedonas, hyri në sistem, si në organin ligjvënës, ashtu edhe në atë ekzekutiv, madje në të tri nivelet e pushtetit: qendror, vendor dhe gjyqësor.
Duke u përfshirë në sistem pa një marrëveshje historike dyetnike, faktori politik shqiptar:
– shndërrohej në dekor të demokracisë në Maqedoni;
– bëhej vegël dhe instrument i pushtetit sllavo-maqedonas;
– bëhej pjesë e ndërtimit të një shteti, që ua siguronte sllavo-maqedonasve statusin e kombit.
Hyrja e faktorit politik shqiptar në sistem, pa një marrëveshje historike ndëretnike, i sanksionoi shqiptarët si një pakicë kombëtare. Si pasojë e një veprimi të tillë, faktori politik shqiptar nuk arriti ta zgjidhë kauzën kombëtare. Asnjë popull në histori nuk ka arritur ta zgjidhë çështjen e vet kombëtare duke u bërë pjesë e sistemit të popullit sundues dhe dominues, pa arritur paraprakisht një marrëveshje historike me të.
Të integrohesh në sistem, pa arritur paraprakisht një marrëveshje historike me popullin që e konsideron veten shtetformues, do të thotë:
– interesin kombëtar ta zëvendësosh me një interes të pjesshëm;
– interesin e përgjithshëm ta zëvendësosh me interesin personal, me interesin e një grupi apo të një koniunkture;
– ta nëpërkëmbësh kauzën kombëtare.
Në vitet e para të pluralizmit politik, faktori politik shqiptar synim parësor kishte, jo të zgjidhë statusin politik të shqiptarëve, por të hyjë sa më shpejt në sistem – në qeveri, në kuvend, në gjyqësi dhe në pushtetin vendor. Ky veprim apolitik dhe kuazipolitik i faktorit shqiptar bëri të mundur ardhjen në pozitë të një nomenklature, për interesa të individëve dhe të grupeve. Privilegjet dhe favoret e individëve, të grupeve, të klaneve apo të një nomenklature, nuk paraqesin interes të përgjithshëm, por koniunktural. Interesi koniunktural nuk paraqet interes kombëtar.
Hyrja në sistem e një partie politike shqiptare pa marrëveshje historike ndërmjet dy popujve, e bën atë parti pjesë të institucioneve të shtetit, pa kurrfarë roli vendimmarrës.
-vazhdon-

Xhelal ZEJNELI