Maqedoni

Është e vështirë lamtumira e fundit për ty, Shkëmbim

(Arbër Çeliku, Referat me rastin e kalimit në amshim të Shkëmbim Xhambazit)

Sot është një ditë e trishtueshme, një çast tepër i dhimbshëm për të gjithë ne, në veçanti për familjen e ngushtë të Shkëmbimit, për bashkëshorten me dy djemtë e tij ende të mitur, për prindërit e tij të dashur, vëllain, dajallarët, hallat, tezet, kushërinjtë e kushërirat, për mbarë farefisin dhe fshatin Cërvicë, për kolegët e tij të punës dhe nxënësit e tij gjeneratë pas gjenerate.

Të gjithë ne humbëm një djalë fisnik e bujar, një bashkëshort dhe prind të përkushtuar, birin e dashur, një njeri me virtyte të larta humane e kombëtare, profesorin dhe intelektualin e devotshëm, bashkudhëtarin tonë me një zemër të madhe dhe në shpirtin e të cilit mbizotëronte paqja, buzëqeshja, vullneti i paepur, gjithmonë i gatshëm për të mbështetur këdo dhe për të bërë mirë në çdo rrethanë e situatë, tejet i hapur dhe i shoqërueshëm me njerëzit, një altruist i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës.

Me këtë dua të them, se Shkëmbimi ishte një personalitet ambivalent. Prominenca e profilit të tij shfaqet në shumë sfera, si në atë familjare, akademike, politike, humane dhe shoqërore, që Shkëmbimin e bën të pavdekshëm në mbamendjen tonë kolektive. Ndonëse fizikisht nuk do ta kemi më në mesin tonë, shpirti i tij gjithmonë do të vazhdojë të jetojë në zemrat tona.

Njeriu vdes atëherë, kur veprat e tij nuk korrespondojnë me mision hyjnor të njerëzimit dhe te Shkëmbimi i gjeje të gërshetuara të gjitha tiparet e një njeriu të mirë, të dashur e të fisshëm. Ai ishte dhe do të mbetet shembull për të gjithë ne.

Shkëmbimi ishte po ashtu një njeri me temperament dhe karakter të fortë, ngulmues në qëllimet e tij dhe kishte të zhvilluar një sens tejet të rreptë karshi të padrejtës. Personalisht e admiroja për këto veti, sepse nuk u luhat kurrë në realizimin e këtij misioni fisnik, duke e ngritur zërin kur të gjithë heshtnin, që përbën pikënisjen motivuese për gjeneratat e tanishme dhe ato që do të vijnë pas.

Imazhi i vërtetë i njeriut i bart tiparet estetike-shprehëse të personit krijues, i cili e ndien detyrimin, për të bërë nga jeta e tij diçka të dobishme dhe frytdhënëse. Të këtillë unë e njoh Shkëmbimin, duke mos reshtur kurrë të qëndrojë në vend, të ndalojë, stagnojë dhe vegjetojë.

Ne nuk kemi vetëm dëshirë, që jeta jonë të shkojë mbarë, por edhe detyrim, që të bëjmë diçka të mbarë nga ajo. Dhe nga kjo përgjegjësi morale për realizimin e këtij potenciali, të bazuar në historinë e vetë njerëzimit, prirej gjithmonë Shkëmbimi, duke prekur thellë kufijtë e një idealizmi absolut. Aspak nuk ka rëndësi çfarë kemi bërë me jetën tonë, çfarë kemi arritur në jetë, por çfarë veprash kemi lënë pas, në shërbim të familjes, të komunitetit të gjerë dhe njerëzimit, ky është postulati i parë i jetës njerëzore, që ai e zotëronte si askush tjetër.

Mua më duhet ta pranoj, se kur e mora lajmin e hidhur për ikjen e Shkëmbimit në amshim natën e së premtes vonë, të datës 28 dhjetor 2023, sikur m’u shemb bota përmbi dhe nuk munda të bindem me faktin, se ai ka ndërruar jetë. Mendimet e bënë të veten, kujtimet dhe reflektimi mbi jetën si proces, që nganjëherë nuk qëndron gjithçka në dëshirën dhe vullnetin tonë, por as edhe në mundësitë tona.

Dhe, gjersa po e shkruaja mbrëmë dhe tani që po e lexoj këtë referat për Shkëmbimin tonë të urtë e të dashur, rrëqethem teksa mendoj ndjenjën prindërore e amënore, bashkëshortore e atërore, ndjenjën e humbjes së njeriut të zemrës e shpirtit, edhe atë në zenitin e jetës së tij, megjithatë duhet të marrim kurajën dhe t’i referohemi Kuranit të shenjtë (Surja Bekare, ajeti 156), ku thuhet: “Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, formuluar në mënyrën më të mirë ngushëlluese e inkurajuese, me qëllim që kujtimi për të ndjerin të vazhdojë të jetojë, veprat e tij të pasqyrohen në dritën më të qartë të mundshme në rebusin e kohës që do të pasojë dhe trashëgimia e tij, e ngjizur me dy djem të mrekullueshëm, të shëmbëllejë në vazhdimësinë e një tradite shembullore familjare, siç do të dëshironte me gjithë shpirt edhe vetë Shkëmbimi.

Në emër të familjes, falënderoj të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoninë mortore të Shkëmbimit dhe për respektin e shfaqur ndaj personalitetit të tij dhe mbarë familjes!

Lavdi jetës, veprës dhe kontributit të Shkëmbim Xhambazit!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, Shkëmbim!