May 13, 2024
Rajon - Botë

Erdogan: Nëse është e nevojshme, Turqia mund të ndahet nga Bashkimi Evropian

Recep Tayyip Erdogan tha sot se Turqia mund të “ndahet” nga Bashkimi Evropian.

Presidenti turk këtë e tha duke komentuar raportin e Parlamentit Evropian, ku thuhet se vazhdimi i anëtarësimit të Ankarasë në BE është i pamundur në rrethanat aktuale.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me raportin e PE-së për Turqinë, të miratuar në fillim të kësaj jave, i cili i bëri thirrje BE-së të konsideronte miratimin e një “kornize paralele dhe realiste” për marrëdhëniet me Ankaranë, Erdogan tha se “BE po përpiqet të ndahet nga Turqia ”, raporton reuters.

“Gjatë kësaj periudhe kur Bashkimi Evropian po bën lëvizje për t’u ndarë nga Turqia, ne do të japim vlerësimin tonë në lidhje me këto zhvillime dhe pas këtyre vlerësimeve, ne mund të ndahemi me BE-në nëse është e nevojshme”, tha lideri turk para gazetarëve përpara udhëtimit drejt SHBA-së.

Ankaraja ka 24 vjet që ka fituar statusin kandidat për anëtarësim në BE, por procesi është bllokuar vitet e fundit për shkak të shqetësimeve të Brukselit për të drejtat e njeriut dhe respektimin e shtetit të së drejtës në Turqi.

Ndryshe, Erdogan do të përfaqësojë shtetin turk në takimin vjetor të liderëve të botës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet në selinë qendrore të OKB-së në New York. /Telegrafi/