July 27, 2024
Rajon - Botë

Erdogan me premtime për të dëmtuarit nga tërmeti, deri sa shtohen kritikat ndaj tij për tolerimin e ndërtimeve pa standarde

Me mbërritjen në zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm i 6 Janarit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha për mediat se të gjitha institucionet po punojnë për përballimin e kësaj fatkeqësie.

Teksa shtohen kritikat ndaj qeverisjes së tij për tolerimin e ndërtimeve të dobëta pa plotësuar standardet e nevojshme, Erdogan u shpreh se puna e ekipeve të kërkim-shpëtimit po vijon, tashmë 57 orë pas tërmetit tragjik e po ashtu po bëhet gjithçka sipas tij për strehimin e njerëzve të cilët kanë mbetur pa shtëpi.

“Të gjitha institucionet janë në këmbë bashkë me bashkitë pavarësisht ngjyrës politike, ditën e parë kishim disa probleme por tani situata është më nën kontroll.”

Numri i të vdekurve në Turqi thotë Erdogan ka shkuar në 8547 mijë, ndërsa të plagosur janë mbi 49 mijë.

“Qendra e goditjes së tërmetit ishte pikërisht këtu ku ndodhem unë, janë goditur 10 qarqe të Turqisë. Aktualisht konfirmohen 8574 të vdekur, 49133 të plagosur dhe 6444 godina të shembura. Jam i bindur se njerëzit do të kenë durim për të përballuar këtë fatkeqësi.”

Presidenti turk theksoi se qeveria ka synim të mbyllë procesin e rindërtimit të godinave të shkatërruara brenda një viti dhe se çdo familje e prekur nga tërmeti do të marrë 10 mijë lira.

“Nuk lejojmë që njerëzit tanë të qëndrojnë në rrugë, është koha të ecim të gjithë bashkë si popull. Pas një viti do ngremë godinat e reja, qëllimi ynë është të mballimin rindërtimin brenda një viti. Jemi gati me të gjitha kapacitetet tona hotelerike për strehimin e njerëzve, po bëjmë çdo gjë për t’ju garantuar ushqim, veshmbathje dhe transportimin në zonat e tjera. Ministria e Financave ka përcaktuar buxhetin për të nisur verifikimet e dëmeve dhe do japim 10 mijë lira për çdo familje të prekur nga tërmeti, në mënyrë që të përballojnë këtë situatë”-përfundoi Erdogan.

Gazetarja turke e cila tani qëndron në Uashington, Asli Aydintasbas, thotë se pasi të kalojnë ditët e zisë, do të kërkohet llogari për përgjegjësit që kanë toleruar ndërtimet pa standarde. Ajo rikujton se presidenti aktual kishte kritikuar paraardhësit e tij për këtë çështje, por se nuk ka bë shumë për të përmirësuar gjendjen.

“ Ironikisht, ishte pikërisht për arsye të tilla që tërmeti i vitit 1999 frymëzoi një dëshirë të madhe në bazë për ndryshimin ku përfundimisht solli Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) – partinë e Presidentit Recep Tayip Erdogan, Kur erdhi në pushtet më 2002, AKP ishte e gjitha për reforma dhe lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian. Fondet e BE-së u derdhën për ndërtimin e shkollave më të sigurta dhe ndërtesave të tjera publike sipas kodeve evropiane të ndërtimit.

Megjithatë Erdogan ka zgjeruar pushtetin e tij (dhe kur ëndrra evropiane e Turqisë është zbehur), interesi i qeverisë për të përmbushur normat evropiane të sigurisë është gërryer. Më 2018, afër dy dekada pas tërmetit masiv të 1999-ës, Turqia përfundimisht miratoi legjislacionin e shumëpritur për tërmete. Por këto rregulla janë respektuar më shumë në shkelje sesa në respektim. Erdogan e ka përshkruar shpesh industrinë e ndërtimit si xhevahirin e kurorës së ekonomisë duke inkurajuar mungesën e heshtur të mbikëqyrjes. Kontratat e mëdha publike të Turqisë priren t’u shkojnë të njëjtëve miq të qeverisë. Bëni çfarë të doni me këtë”, shkruan Audintasbas në kolumnën e botuar në prestigjiozen “Washington Post”.