Kosovë

Erdogan bisedon me Kurtin dhe Vuçiqin: Turqia është e gatshme…

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në një njoftim të Presidencës turke bëhet e ditur se në këtë bisedë telefonike është diskutuar edhe për zhvillimet në veri të Kosovës, duke theksuar se procesi i dialogut është mënyra për vendosje të paqes. “Gjatë thirrjeve ku u trajtuan edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, presidenti Erdogan për zhvillimet që po ndodhin në veri të Kosovës u shpreh se sigurimi i progresit në procesin e dialogut është mënyra e vetme për vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”- thuhet në njoftim.Tutje, në njoftim potencohet se presidenti Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të japë kontributin e nevojshëm në procesin e dialogut. Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.