Erdhën dasmat, filluan krismat si në luftë
Ditëve të fundit janë shtuar rastet e përdorimit të armëve nëpër ahengje familjare. Vetëm në 24 orët fundit janë regjistruar gjashtë raste nga Policia e Kosovës, ndërsa janë iniciuar veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Policia njoftoi se tri janë regjistruar në Ferizaj, në fshatrat Greme, Slivovë dhe në rrugën “Kadri Zeka”.
Të dyshuarit janë identifikuar e pas intervistimit nga prokurori janë liruar në procedurë të rregull.
Ndërsa, në një aheng familjar në Podujevë janë gjetur 29 gëzhoja të pistoletës, një predhë dhe 9 gëzhoja të pushkës gjysmëautomatike, që janë konfiskuar.
“I dyshuari ka dorëzuar një pistoletë me një karikator dhe një pushkë gjysmë automatike. Me vendim të prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Edhe në Istog Policia ka arrestuar një person që kishte shtënë me pistoletë. Pistoleta me karikator të zbrazët dhe leja e armës janë konfiskuar, e me vendim të prokurorit, rasti është procedurë si i rregullt.
Ndërsa në Mitrovicën e Jugut është iniciuar vepra penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, pasi një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në një aheng.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur 14 gëzhoja të pistoletës të cilat janë konfiskuar. I dyshuari i lartcekur në mënyrë vullnetare ka dorëzuar një pistoletë me gaz. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Policia i ka ftuar qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, “sepse përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje dhe gëzime familjare mund të shndërrohet në tragjedi, po ashtu është e ndaluar me ligj”.