Epopeja e UÇK-së, liderët shtetëror të Kosovës kujtojnë sakrificën e familjes Jashari
Tre liderët e Kosovës bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Osmani, Konjufca e Kurti janë përkulur pranë varreve të familjes Jashari të cilët u vranë me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se familja Jashari personifikon sakrificën më të lartë njerëzore në histori.
“Përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari të cilët personefikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë. Epopeja e UÇK është Epope e krenarisë së popullit tonë, është Epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë e mbi të gjitha është Epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë ne sot. Prandaj familja Jashari do të mbesin për jete udhërrëfyes për brezat e tanishëm, por edhe për brezat që do të vinë pas nesh. Siç shihni jo vetëm tani përgjatë Epopes, por në periudha të ndryshme të vitit kemi fëmije nga shkolla anë e kënd Kosovës që vijnë këtu jo vetëm për të mësuar për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë dhe guximin e tyre dhe vet faktin që ata ishin të hatashëm të jepini gjithçka në mënyre që sot Kosova të frymoj e lirë”, u shpreh Osmani.
Edhe kryeministri Albin Kurti tha se secili duhet të vijë në këtë vend që të mos harrohet e kaluara.
“Vetëflijimi, vetë sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve është Epopeja e UÇK-së në themelet e çlirimit të vendit tonë që paraqet edhe dhimbja e krenari por edhe besë dhe shpresë për shtetin tonë. Me përkulje respekti, ndjenjë admirimi gjithnjë dhe gjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve. Lavdi kryekomandantit Jashari, familjes Jashari, UÇK-së dhe gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, deklaroi Kurti.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se sakrifica e Jasharëve përbën ngjarjet më të rëndësishme të kombit.
“Në të gjithë historinë tonë së bashku me luftërat e lavdishme të Skënderbeut edhe lidhjen e Prizrenit, sakrifica e Jasharëve dhe lufta e UÇK-së përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme në vetëdijen tonë kombëtare. Kështu që nuk është e rastësishme që gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë në të gjitha anët e botës vijnë dhe përkulen para varreve të Bacit Shaban, Ademit dhe Hamzës dhe gjithë familjarëve të cilët u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë. Për sa të ketë komb shqiptar, kombi ynë për sa të ekzistojë gjithmonë do të jetë një vend ku përkulemi por vazhdimisht gjejmë frymëzim dhe patetizëm se si të mbrohet vendi dhe si të ushqehet liria”, u shpreh Konjufca.