Ende nuk janë ndërtuar dy kilometrat e autostradës Shkup – Bllacë
Maqedonia e Veriut ende nuk ka përfunduar pjesën e parë prej dy kilometrave të autostradës Shkup – Bllacë, që lidh vendin me Kosovën. Edhe përkundër asaj që është një projekt i premtuar prej kohësh, realizimi i tij po zhvillohet me një tempo shumë të ngadaltë.
Nga NP Rrugët e Maqedonisë pretendojnë se po punohet me intensitet në ndërtimin e kësaj rruge. Nga kjo ndërmarrje thanë për Portalb.mk se, projekti për ndërtimin e aksit të autostradës Shkup – Bllace po zhvillohet në përputhje me dokumentacionin e kontratës, si dhe në përputhje me procesin tekniko – teknologjik për ndërtimin e llojit të këtillë të objekteve të komplikuara të cilat ndërtohen në terren të komplikuar dhe me qasje të vështirë.
“Punët gjeodezike po realizohet në mënyrë intensive, siç janë shënimi – regjistrimi i trasesë së pjesëve ku realizohen punimet dhe regjistrimi i profilit nga gërmimi i realizuar dhe argjinatura për përcaktimin e sasisë. Më pas, punët në lidhje me kullimin, siç janë gërmimi, përforcimi dhe betonizimi i kanaleve trapezoide të betonit në trasenë kryesore, të mbrojtjes së sipërfaqeve të betonit, mbrojtje me një shtresë të betonit të hidroizolmit të pllakës së sipërme, gërmimi i humusit, përpunimi i pjesës nëntokësore, përpunimi i argjinaturës etj”, thanë nga kjo ndërmarrje.
Megjithatë, prej këtu nuk kanë precizuar datë konkrete se kur pritet të përfundojë pjesa e parë prej dy kilometra, në të cilën po punohet.
“Afati i dakorduar është 18 muaj nga prezantimi i punës së kontraktuesit dhe në kushte kur pandemia me Covidin i ngadalëson procesit, përfshirë edhe proceset e ndërtimit ka pasur ndikim të vet edhe ndaj dinamikës së punëve në lidhje me ndërtimin e rrugëve”, thanë nga NP Rrugët e Maqedonisë.
Shuma e ndërtimit të dy kilometrave nga kjo autostradë kushton rreth 12,2 milionë euro pa TVSH. Punët ndërtimore zhvillohen me mjete të siguruara financiare nga buxheti i NP Rrugët Shtetërore.
Kontrata e ndërtimit me kompaninë e ndërtimit “Granit” u nënshkrua në janar të vitit të kaluar.
Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për realizim të fazës së parë të autostradës Shkup-Bllacë përpara më shumë se një viti, premtimi ishte se verën e ardhshme, përkatësisht verën që kaloi, do të mbarojnë dy kilometrat e parë të autostradës nga pika kufitare “Bllacë” deri te kryqëzimi i fshatit Bllacë.
Faza e dytë e autostradës Shkup-Bllacë përfshin ndërtimin e trasesë nga kryqëzimi afër fshatit Bllacë deri në kryqëzimin në unazën e Shkupit. Rruga prej 10.5 kilometrash është hartuar nga konsorciumi “IPf7”, i udhëhequr nga Hill International. E gjithë autostrada nga Shkupi deri në Bllacë është e ndarë në dy faza, gjithsej 12.5 km të gjata dhe ndërtimi i tyre pritet të kushtojë mbi 110 milionë euro.
Portalb.mk ka shkruar për nevojën e përshpejtimit të procedurës për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, duke pasur parasysh faktin se Kosova tashmë ka përfunduar pjesën e saj të punës, ndërsa kilometrat e mbetura nga pika kufitare “Bllacë” deri në Shkup aktualisht zhvillohen vetëm në një korsi për secilin drejtim. Rruga është plot gropa dhe nuk është e rrafsh, megjithëse në të ka frekuencë të zmadhuar të automjeteve.
Kosova është partneri ynë tregtar në të cilin ne eksportojmë më shumë sesa importojmë mallra në vit, ndërsa shumë banorë të këtij vendi shpesh vijnë për të blerje dhe për shërbime të tjera dhe lënë mjete të konsiderueshme financiare në vendin tonë. Përveç përfitimit ekonomik, autostrada përmes Kosovës aktualisht është lidhja më e shpejtë rrugore me portet e Tivarit dhe Durrësit për kryeqytetin e Maqedonisë dhe pjesët veriore të vendit.