Ende familjarët kujdesen për të infektuarit në spital, Nuredini thotë se nuk di asgjë!
Ky qytetar që e takuam sot afër spitalit të Tetovës, pohon se qëndron brenda Qendrës Kovid ku përkujdeset për familjarët e tij, ndërsa shton se brenda është edhe një person tjetër që po ashtu përkujdeset për një familjar të infektuar. Madje thotë se shumica e pacientëve që janë të shtruar aty kanë nga një të afërm që përkujdeset, gjersa vazhdon të ketë mungesë të personelit mjekësor.
“Po trajtimi mund të them se është asnjë far feje! Pacientët ruhen nga njerëz të tjerë, persona të familjes shumica, ka disa gjëra që nuk janë të mira, nuk bëhen siç duhet! Unë i kuptojë mjekët, edhe ata nuk kanë personel, por personel duhet të ketë deri sa i flasin fjalët, deri sa duhet të merret dikush nga familja ime, ne bëjmë veç përhapje, rrallë herë ka mbrojtje, nuk kanë mjete për t’i blerë, patjetër dikush t’i dërgojë”, tha qytetari.
Gazetari: Sot më 11 shtator, dita e shtunë, t’i ke person brenda që përkujdeset për familjarin.
“Po, po! Ka njerëz. Jo vetëm unë, por shumica, në përgjithësi, 100% të personave janë krejt me me përkujdesje të familjarëve”.
Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të mohojnë për këtë gjë! Ndërkaq koordinator i Qendrës Kovid Gëzim Nuredini thotë se nuk ka informacion se familjarët hyjnë në spital.
“Atë nga ju e kam dëgjuar edhe shpesh herë ka qenë e përmendur edhe më parë dhe atë çdo herë e kemi thënë se ajo është diçka jo vetëm e dënuar me ligj, por e dënuar edhe me protokoll dhe bisedojmë se në kohë pandemie njeriu nuk mund të hyjë pa mos u mbrojtur me masa anti-kovid se ata mund t’i rrezikojë edhe të tjerë”, tha Nuredini.
Edhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklarua se nuk ka informacion për diçka të tillë. Përndryshe prej 14 viktimave nga tragjedia në qendrën modulare në tetove, 2 nuk ishin pacientë, por familjarë për të cilët u raportuar se kujdeseshin për të afërmit. Nga ana tjetër, një prej të lënduarve nga zjarri u shpëtua nga bashkëshortja e cila ndodhej aty për t’u përkujdesur, ndërsa në momentin e zjarrit e nxori nga dritarja./TV21