May 10, 2024
Maqedoni

Eksperti i çështjeve të sigurisë thotë se Serbia është kërcënimi real për të gjithë rajonin e Ballkanit

Serbia nuk është kërcënim vetëm për Kosovën por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, kështu vlerëson eksperti i sigurisë Ilir Kulla.

Ai madje thotë se prapa agresionit ndaj Kosovës qëndron presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Kulla thotë se ekziston rreziku që serbët të përdorin enklavat për t’u viktimizuar si në rastin “Panda”, në Pejë.

“Ka dy koncepte: kërcënim real dhe rrezik potencial. Kërcënim real unë nuk shoh, por rreziku potencial për destabilizim , përfshirje të enklavave që ndodhen brenda Kosovës, kjo është një gjë që të gjithë e kanë në mendjen e tyre dhe në realitetin e gjërave. Besoj që institucionet janë aq të forta, dhe do të bashkëpunojnë aq mirë me partnerët ndërkombëtarë që në këtë pjesë nuk besoj që do kemi një sjellje kaq naive për të harruar se kush është Serbia reale. Sepse Serbia reale është kërcënimi real për rajonin e Ballkanit jo vetëm për Kosovën. Rreziku potencial për provokime në enklavat dhe për përdorimin e enklavave si instrument për të viktimizuar serbët si në rastin e fëmijëve në Pejë në vitin 1998 është shumë i lartë”, u shpreh Ilir Kulla, Ekspert i sigurisë.

Ai madje thotë se Rusia ka interes të destabilizojë rajonin e Ballkanit.

“Nuk e heq dyshimin që Rusia ka interes të krijojë vatra të tjera në konflikte , por Rusia është larg dhe serbët nuk janë rusë. Të thuash se e kanë fajin rusët është të gjesh alibi për Vuçiqin, këtu faji ka emër dhe mbiemër ka vend. Sulm terrorist bën një organizatë, nuk bën një shtet, kemi të bëjmë me një agresion të mirëfilltë. Sigurisht që Rusia ka interes në këtë destabilizim”, u shpreh Ilir Kulla, Ekspert i sigurisë.

Kulla tha se Serbia po e përdorë Asociacionin e komunave me shumicë serbe për të formuar një shtet serb brenda Kosovës.

“Asociacioni ka vetëm një formulë, asociacioni kundër njohjes. Pra në momentin që më jep njohjen unë të jap asociacionin. Përderisa nuk më jep njohjen dhe përdor asociacionin për të futur, për të krijuar një shtet serb në Kosovë, nuk ka arsye pse të ekzistoj ky Asociacion”, tha Ilir Kulla, Ekspert i sigurisë.

Eksperti i sigurisë Kulla thotë se faktori ndërkombëtar po e toleron Serbinë nga frika që kjo e fundit mund të afrohet edhe më shumë me Rusinë. Ndërkohë në takimin e një dite më parë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin serb Aleksandar Vuçiq pesëshja diplomatike kërkoi deeskalimin e gjendje dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.