Maqedoni

Ekskluzivisht me Gëzim Ostrenin: “Nuk më ftuan për 21 vjetor as njëri, as grupi tjetër… Nuk do shkoja”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot shënon 21-vjetorin e themelimit. Udhëheqësia e partisë, në krye me liderin Ali Ahmeti dhe anëtarë të partisë do të marrin pjesë në ngjarjen tradicionale vjetore në Shkup ndërsa fraksioni i partisë organizon tubim në Tetovë.

Shënimi tradicional i përvjetorit të themelimit të partisë do të mbahet në hotelin Aleksandar Pallas. Për dallim nga vitet e tjera, kësaj radhe organizohet panel debat i titulluar “Fronti evropian” ku do të flasë lideri i partisë, Ali Ahmeti, ndërsa të ftuar për të folur janë edhe ish-ministrja Radmilla Shekerinska, profesori Petar Arsovski, gazetari Gazmend Ajdini, ish-ministrja dhe ish-kryetare e komunës, Teuta Arifi dhe të tjerë.

Pas takimit Ahmeti do t’u drejtohet anëtarëve të partisë në koktejin tradicional të rastit.

Fraksionarët e partisë nga i ashtuquajturi Grupi i zjarrit, 21-vjetorin e partisë do ta shënojnë në ngjarje të veçantë afër Qendrës së Kulturës në Tetovë.

Portali Lideri.mk ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me ish Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Ushtarak të UÇK-së, por edhe ish sekretar i përgjithshëm i BDI-së në periudhën e fitoreve më të rëndësishme të kësaj partie.

Ostreni në këtë intervistë ka folur edhe për zhvillimet aktuale brenda BDI-së, si dhe për shënimin ndaras të 21 vjetorit.

“Nuk më ka ftuar as njëri as grupi tjetër në këtë manifestim. Edhe po të më kishin ftuar nuk do të shkoja”, ka theksuar Ostreni në intervistën e tij për Lideri.mk, që e plotë do të publikohet ditëve në vijim.

“Skam çka kërkoj”, ka shtuar Ostreni. (Lideri)