Egjipti kontakton me Hamasin dhe Izraelin për një armëpushim në Gaza, ende shpresa para fillimit të Ramazanit
Egjipti është në kontakt me zyrtarë të lartë të Hamasit dhe izraelitë, si dhe me ndërmjetës të tjerë sot në një përpjekje për të rifilluar negociatat për një armëpushim në Rripin e Gazës gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili fillon të hënën ose të martën, mësohet nga dy burime në shërbimet egjiptiane të sigurisë.
Kontaktet e Egjiptit me Hamasin dhe agjencinë e inteligjencës izraelite Mossad u mbajtën sot pas një autorizimi nga presidenca egjiptiane në një përpjekje për të bashkuar qëndrimet divergjente të dy palëve, thanë burimet, pa dhënë detaje.
Katari, Egjipti dhe SHBA po përpiqen të negociojnë një marrëveshje për të zbatuar një armëpushim gjatë Ramazanit në këmbim të lirimit të pengjeve izraelitë të marrë nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit që çoi në luftën në Gaza.
Raundi i fundit i bisedimeve, i cili nuk përfshinte Izraelin, u ndërpre në Kajro këtë javë. Mossad i Izraelit tha dje se përpjekjet për të arritur një marrëveshje ishin në vazhdim, pavarësisht shpresave të pakta për një armëpushim përpara fillimit të Ramazanit.