June 26, 2024
Maqedoni

Edhe një politikan maqedonas lirohet nga akuza, shqiptarët e pafajshëm ende në pritje

Gjykata Themelore Penale e Shkupit, në procedurën e përsëritur në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sot ka marrë vendim për lirimin e Ljube Boshkoskit, në lidhje me rastin “Fushata”.

Lideri i “Të bashkuar për Maqedoninë” dhe këshilltar i Qeverisë është arrestuar më 6 qershor 2011, para restorantit “Vodenica” në Shkup, nën dyshimin për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore. Në vitin 2014 është dënuar me pesë vjet burg, ndërsa në vitin 2016 është liruar nga burgu në Idrizovë, ku ka vuajtur dënimin.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi në vitin 2020 se të drejtat e Boshkoskit për një gjykim të drejtë ishin shkelur në lidhje me thirrjen dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Në vitin 2021, me kërkesë të mbrojtjes, gjykimi kundër Ljube Boshkoskit për rastin “Fushata” u kthye në rigjykim.

Deri sa ish funksionarë maqedonas po lirohen nga akuzat dhe po fitojnë rrethana lehtësuese gjatë gjykimit, avokatët alarmojnë se shumë shqiptarë të pafajshëm dergjen burgjeve në Maqedoninë e Veriut, të dënuar në raste të montuara.