Dy vite e gjysmë nga super ekspertiza! Rasti “Alfa” ende pa epilog për rigjykim, mbrojtja shpreh optimizëm
16 vite në burg për një vepër të cilën thotë se nuk e kreu. Ky është fati i Agim Islamit, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e pjesëtarëve të njësitit “Alfa” në vitin 2008.
Kërkesa për rigjykim të rastit “Alfa”, pas dorëzimit të dëshmisë së re, respektivisht super ekspertizës që u bë jashtë vendit nga ana e mbrojtjes, e e cila thotë se Agim Islami dhe i ndjeri Rexhail Qerimi nuk janë kryerësit e veprës penale, tanimë mbi dy vite e gjysmë po shqyrtohet dhe assesi të meret një vendim final nëse lënda do të shkojë apo jo në rigjykim. Sipas Ramiz Dautit si ish i arrestuar për po të njëjtin rast, lënda për momentin gjendet në Gjykatën Penale, ndërsa super ekspertiza është dërguar për mendim në Prokurorinë Publike. E njëjta më pas do të dërgohet në Gjykatën Penale, ku vendim do të merr komisioni penal pranë Gjykatës. Dauti bën thirrje që rasti të mos zvarritet sepse nuk ka arsye. Thotë se çështja duhet të merret më me seriozitet sepse Rexhail Qerimi vdiq në burg duke pritur drejtësinë.
“Asnjëherë nuk kemi një përgjigje të saktë. Edhe pse 16 muaj e ka vonuar Gjykata e Apelit vendimin e lëndës, pastaj 6-7 muaj edhe Gjykata Supreme, tash 2 muaj u bënë edhe në Gjykatën Themelore, kështu në të gjitha adresat ku ne drejtohemi janë pa përgjigje konkrete, zvarritjet vazhdojnë vazhdimisht dhe kjo është arsyeja e cila unë po mendoj që duhet të merren më me seriozet me këtë punë përshkak që vet jam dëshmitar edhe prej fakteve dhe argumenteve që kemi dhe mendoj se nuk ka kohë për zvarritje kjo punë. Agimi i bëri 16 vite në burg pa asnjë faj, Rexhail Qerimi vdiq duke pritur drejtësinë dhe unë mendoj që është koha kur duhet të veprohet tash”, deklaroi Ramiz Dauti.
Avokatja e Agim Islamit, Artene Iseini, thotë se zvarritja e vendimit nga Gjykata Penale ndodhte përshkak vendimit që priteshte nga Gjykata Supreme. Por meqenëse Supremja refuzoi ankesën e të akuzuarit tjetër në këtë rast, Almir Dërpljanin, vendimi për Agim Islamin nuk ka më arsye të vonohet. Avokatja Iseini është optimiste për përfundim pozitiv.
“Gjykata Penale deri tani e ka arsyetuar zvarritjen e shqyrtimit të kërkesës për përsëritje të procedurës për Agim Islamin se nuk disponon lëndën bazë, ajo ishte në Gjykatën Supreme. Tani më nuk ka asnjë hapësirë ligjore për shtyerje të mëtutjeshme. Duhet kërkesa jonë të dërgohet në Prokurori për mendim dhe pritet vendimmarja nga Këshilli Penal pranë Gjykatës Penale. Nëse sistemi juridik është i pavarur, i drejtë dhe i paanshëm, e kanë shansin të dëshmojnë veten para qytearëve dhe faktorit ndërkombëtar”, pohoi Artene Iseini – Avokate.
Dërguam pyetje edhe deri te Gjykata Penale për atë pse po vonon vendimi për kërkesën e mbrojtjes, por nga atje deri në këto momente nuk na dhanë përgjigje.
Përndryshe për rastin “Alfa” shumë eksponentë politik më herët kanë deklaruar se është një rast i montuar dhe se Agim Islami po qëndron i pafajshëm në burg.
“Por kemi bërë përpjekje kemi inkurajuar të gjitha institucionet që drejtësia të vendoset në vend dhe mendoj që drejtësia është vonuar por nuk do të harrojë, dhe e drejta do të vendoset”, tha Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së (18.01.2022).
“Ne nuk do të ndërhyjmë në atë për të vendosur nëse është i fajshëm apo i pafajshëm por ne na takon që të marim pjesë që të zgjidhet rasti dhe e vërteta të del në shesh”, pohoi Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë.
“Unë kam bindjen dhe e them publikisht, që Agim Islami nuk duhet të jetë aty ku është. Dhe të kërkojë përdit, me këmbëngulësi nga Apeli, nga Gjykata Shkupi 1, nga të gjithë, të rigjykohet rasti në bazë të informacioneve të reja që kemi”, theksoi Artan Grubi – BDI.
“Është një rast mafioz dhe struktura të ndryshme narkodilere i kanë montuar, ja publikisht sonte po them, informatat e mia flasin se është një rast i montuar”, tha Rexhail Ismaili– BDI.
E ndërkohë derisa Gjykata Penale zvarritë vendimin dhe mbrojtja kërkon drejtësi, para dy viteve pas 13 viteve qëndrim në burg, ndërroi jetë i dënuari tjetër në rastin “Alfa”, Rexhail Qerimi.