Durmishi vizitë në Ankara: Kompani nga Turqia do të investojnë më shumë në infrastrukturën dhe energjetikën e Maqedonisë
Në kuadër të vizitës në Ankara, ministri i ekonomisë Besar Durmishi sot realizoi takim me ministrin e Tregtisë së Turqisë Omer Bollat. Në takim është biseduar për marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, transmeton lideri.mk, si dhe zhvillimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve, por edhe per mundësitë për bashkëpunim mes dy vendeve si dhe rritjen e investimeve turke në vendin tonë.
“Në takim Ministrin Bollat e informova se Republika e Turqisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe vend që vazhdimisht investon në ekonominë maqedonase në sektorë të ndryshëm si partner strategjik investues. Gjithashtu, theksova se të dhënat për shkëmbimin tregtar tregojnë se Republika e Turqisë vitin e kaluar është renditur në vendin e 7-të në listën e vendeve me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut realizon vëllimin më të madh të shkëmbimit tregtar duke shpresuar që në periudhën e ardhshme ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej”, njoftoi Durmishi.
Durmishi dhe Bollat bashkërisht janë dakorduar për pjesëmarrjen më të madhe të ndërmarrjeve turke në projektet infrastrukturore dhe energjetike maqedonase në drejtim të rritjes së investimeve në Maqedoninë e Veriut.