BallinaMaqedoni

Drin Ahmeti dje ka qenë në Prokurorinë Publike në Shkup

Drin Ahmeti, nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ka dhënë deklaratë në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar për rastin “Soravia”, njofton portali Republika, duke u thirrur në burime në Prokurori.

Siç shkruan portali, Drin Ahmeti dje ka qenë në Prokurorinë Publike, ku ka dhënë deklaratë dhe është larguar.

Drin Ahmeti së fundmi ka qenë në Amerikë me vëllain dhe babain e tij.
Jozyrtarisht flitet se ai shkoi në SHBA menjëherë pas ndërrimit të pushtetit në Maqedoni.

Drini u bë i njohur për publikun pasi u njoftua se ishte bërë pronar i Qendrës Tregtare Soravija në qendër të Shkupit. Por pas presionit publik dhe mediatik, në fund të vitit të kaluar ai njoftoi se kompania do të merrej nga Texas American International Holdings, në pronësi të biznesmenit amerikan Nik Nazar Mehmedi.

Asokohe ishte bërë e ditur se edhe llogaritë e kompanive të Ahmetit “Thor Industries” dhe “Soravia Invest” ishin bllokuar, por as për këtë nuk ka konfirmim zyrtar.