Drejtori i Byrosë thotë se nuk ndien përgjegjësi për mungesën e librave
Po bëhen përpjekje që nxënësit që do të jenë në klasën e gjashtë vitin e ardhshëm shkollor t’i marrin tekstet në kohë, pra më 1 shtator, por kjo akoma nuk është e sigurt. Lidhur me vonesën e përgatitjes së planprogrameve për klasën e gjashtë, drejtori i Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Zekirjia Hasipi, thotë se nuk ndihet përgjegjës për këtë, me arsyetimin se gjithçka është bërë në përputhje me procedurat.
ZEKIRJIA HASIPI, DREJTORI I BYROSË PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT
“Nuk ndjej asnjë përgjegjësi. Ka procedura dhe rregullore për hartimin e programeve mësimore dhe sipas tyre ne kemi vepruar në kohën e duhur. Jo të gjitha programet mund të krijohen njëherësh, por ne i paraqesim individualisht në Ministrinë e Arsimit. Mendoj se nëse procedura për shtypjen e teksteve shkon sipas të gjitha procedurave, ndoshta jo më 1 shtator, por më 2 apo 3 tekstet do të jenë gati”.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, nga ana tjetër thotë se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet që tekstet shkollore të jenë gati deri më 1 shtator.
JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Programi për klasën e gjashtë nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit është dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në muajin mars. Disa nga programet e klasës së tretë janë dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar. Prandaj jemi në një fazë të avancuar me tekstet për klasën e tretë dhe me programet për klasën e gjashtë jemi në garë për të arritur deri në 1 shtator. Po bëhen të gjitha përgatitjet që tekstet shkollore të jenë gati deri më 1 shtator”.
Sa i përket lëndës së gjeografisë për klasën e 7-të dhe të 9-të, ministri Shaqiri thotë se këtë vit do të sigurohen tekste për të gjitha lëndët për të cilat shkollat do të kenë kërkesë.