Dramë e re në një shkolle tjetër në Beograd
Një nxënës emri i të cilit nuk është bërë publik nga shkolla fillore “Desanka Makimovic” në Beograd po raportohet se ka bërë një listë të nxënësve që dyshohet se dëshironte t’i vriste. Kështu ka konfirmuar për “B92” Ministria e Punëve të Brendshme Serbe.
Sipas MPB, raporti ka ardhur rreth orës 10:00. Policia aktualisht po heton pretendimet e shkollës. Sipas informacioneve jozyrtare bëhet fjalë për një djalë nëntë vjeçar, përcjell Insajderi.
Sipas mediave, ndihmësdrejtoresha e shkollës fillore, Desanka Maksimoviq, sot rreth orës 10:00 ka lajmëruar policinë e Beogradit dhe ka raportuar se për një kohë të gjatë kishte problem me një nxënës të klasës së tretë.
“Kur djali ka mbërritur në shkollë ka bërë me një armë lodër sikur ka qëlluar një roje sigurie dhe pas kësaj ka ndjekur fëmijët e klasave më të vogla në oborr. Më pas ai ka bërë një listë të nxënësve që donte t’i vriste”, ka thënë ajo.
Një ditë më parë një nxënës 14 vjeçar vrau 8 shokët e tij si dhe rojën e shkollës fillore “Vladislav Ribnikar”. Ende nuk dihet nëse kjo ngjarje është bërë motiv edhe për këtë të sotmen. / Insajderi