May 5, 2024
Maqedoni

Dr. Sofijanova: Ja çfarë pasoja kanë fëmijët të cilët e kanë kaluar KOVID-in pa simptoma

Virusi SARS-CoV-2 tek fëmijët zakonisht jep një pamje më të butë klinike që trajtohet vetëm me terapi simptomatike. Sidoqoftë, është e nevojshme të monitorohet me kujdes çdo rast dhe nëse vërehet një përkeqësim i shëndetit, të bëhen teste shtesë që do të tregojnë sindroma dhe situata më serioze, siç është sindroma inflamatore multisistemike, tha prof. Dr. Aspazija Sofijanova, Drejtore e Klinikës për Sëmundjet e Fëmijëve dhe kryetare e Shoqatës së Pediatërve, e cila ishte pjesë e diskutimeve javore onllajn të organizuara nga Oda Mjekësore me qëllim lehtësimin e komunikimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe njohurive mbi parandalimin dhe trajtimin e Kovid 19 midis mjekëve të të gjitha niveleve të sistemit shëndetësor.

Prof. Sofijanova në fillim të ngjarjes shprehu mirënjohje për Odën Mjekësore për mënyrën evropiane dhe të avancuar të veprimit dhe mundësitë për afrim në bazë të ekspertizës dhe profesionalizmit dhe tha se ligjërata që ata prezantuan ndanë përvojat dhe njohuritë e qendrave prestigjioze pediatrike për trajtim të Kovid-19, përvojat nga Klinika Pediatrike, si dhe të dhënat e publikuara në studimet përkatëse shkencore, informuan nga Oda Mjekësore.

“Tek fëmijët Kovid-19 është zakonisht i butë dhe trajtohet me terapi simptomatike. Sidoqoftë, nëse gjendja përkeqësohet dhe ethet zgjasin më shumë se tre ditë, duhet të merren parasysh ekzaminime shtesë, pasi në raste të rralla, fëmijët mund të preken rëndë dhe manifestimet klinike mund të ndryshojnë nga ato të të rriturve. Në prill 2020, raportet nga Mbretëria e Bashkuar dokumentuan një prezantim tek fëmijët të ngjashëm me sëmundjen jo të plotë Kavasaki ose sindromën e goditjes toksike. Që atëherë, ka pasur raporte për fëmijë të prekur në mënyrë të ngjashme në pjesë të tjera të botës. Gjendja quhet sindromi inflamator multisistemik tek fëmijët”, tha prof. dr. Sofijanova.

Sindroma inflamatore multisistemike shfaqet tek fëmijët që kanë qenë raste asimptomatike, ose kanë pasur një pamje klinike të lehtë, ndërsa pas një periudhe prej dy deri në katër javë zhvillojnë sëmundje, përkatësisht një gjendje të re që manifestohet kryesisht me temperaturë shumë të lartë, mbi 39 gradë dhe madje 40 gradë e cila zgjat disa ditë dhe e cila nuk zbret me antipiretikë.

Kur bëhet fjalë për situatat post-kovid prof. dr. Sofijanova theksoi se praktika tregon një numër të shtuar të fëmijëve me apendicit, një numër të shtuar të rasteve të diabetit, si dhe rritje të sëmundjeve malinje, por sidoqoftë do të nevojiten kërkime shtesë për të konfirmuar nëse ka lidhje me Kovid 19. Lidhur me vaksinimin, ajo tha se e mbështet plotësisht vaksinimin e fëmijëve mbi 12 vjeç, si dhe atyre që kanë sëmundje kronike.

Kryetari i Odës Mjekësore, prof. Dr. Kalina Grivçeva Stardelova theksoi se sëmundjet post-kovid janë një sfidë serioze me të cilën pacientët, profesionistët shëndetësorë dhe sistemi shëndetësor akoma duhet të ballafaqohen. Oda Mjekësore deri më tani ka organizuar 15 diskutime onllajn mbi tema të ndryshme që lidhen me parandalimin dhe trajtimin e Kovid-19.