May 3, 2024
Maqedoni

Do të hiqet ora policore dhe do të lejohen koncertet, nëse vazhdon përmirësimi i gjendjes epidemiologjike

–Nëse vazhdojnë trendet e njëjta pozitive në lidhje me situatën me Covid-19, pas 15 qershorit mund të pritet heqja e orës policore si dhe lejimi i organizimit të evenimenteve tjera siç janë koncertet. Në ndërkohë, po përgatiten protokolle, transmeton Alsat. Këto paralajmërime i dha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke thënë se është lajm i shkëlqyer raporti brenda 24 orëve për Shkupin, ku nuk është pranuar asnjë pacient me Covid-19 për trajtim spitalor.

“Trendi është i njëjtë edhe në qytetet e tjera të vendit, nuk ka më presion në repartet për sëmundje infektive. Takimi i ardhshëm i Komisionit për Sëmundjet Infektive do të jetë para 15 qershorit, deri atëherë do të punojmë me organizatorët e ngjarjeve dhe koncerteve të ndryshme – për të miratuar protokollet e duhura për atë çfarë është planifikuar të organizohet gjatë muajve të verës Që do të thotë se nëse këto shifra dhe tendenca vazhdojnë, lehtësimi i mëtejshëm i masave kufizuese mund të pritet pas 15 qershorit. Këtu mendoj për dy gjëra, për heqjen e orës policore dhe për rekomandimet për organizimin e ngjarjeve të tjera”, tha Filipçe.