May 16, 2024
Maqedoni

Divorcet, Hamzai: Mungesa e komunikimit çon në divorc

Vitin e kaluar në vend janë regjistruar gjithsej 12.882 martesa, njëkohësisht janë regjistruar edhe 1613 divorce. Por, cilat janë shkaqet që çojnë deri te divorcet?

Psikologu, Migjen Hamzai, thotë se shkaqet që çojnë deri te divorci janë të shumta, por ndër shkaqet më të theksuara përmend kërkesat strikte mes bashkëshortëve dhe mungesën e komunikimit.

“Kërkesat e bashkëshortëve me njëri-tjetrin janë strikte dhe me kushtëzime, ti do më çosh në pushime që ta bëjmë këtë, ti do të ma blesh këtë që ta bëjmë këtë. Kur uronim martesat urata më e mirë ishte Zoti muhabetin. Sot nuk është kjo gjë, sot nuk ka komunikim. Kjo sjell në divorce të shumta. E kundërta e dashurisë është neglizhenca. E neglizhon partnerin, ndërkohë që harrojnë se njeriu më i rëndësishëm në jetën tonë është partneri ynë”, u shpreh psikologu Migjen Hamzai.

Beadini: Gratë shpesh nuk kanë ku të strehohen

Nga sektori civil ngrisin shqetësimin se gratë të cilat vendosin të divorcohen për shkak të dhunës apo trajtimit joadekuat, shpeshherë nuk kanë ku të shkojnë pasi nuk kanë pronë dhe detyrohen të drejtohen në qendrat për strehim.

“Shteti ofron mundësi të ndryshme dhe ka disa qendra në të cilat drejtohen gratë kur nuk kanë ku të shkojnë. Fatkeqësisht ky problem vjen nga mospasja e pronës, pasi grave shumë shpesh nuk iu jepet pronë nga familja apo detyrohen të heqin dorë nga prona, andaj shumë shpesh ngelen të varura ekonomikisht, apo pa një strehë se ku të drejtohen”, theksoi Rita Beadini nga OJQ “Mollë Kuqja”.

MPB: Angazhohemi për parandalimin e dhunës në familje

MPB nga ana tjetër së bashku me institucionet dhe sektorin joqeveritar, angazhohet në parandalimin e dhunës në familje, e cila është ndër shkaqet që çojnë deri te divorci.

“Së bashku me shërbimet tjera dhe institucionet tjera, por edhe me sektorin joqeveritar, punojmë vazhdimisht në masat parandaluese, sidomos të dhunës në familje”, u shpreh zëdhënësi i MPB-së, Toni Agellovski.

Numri më i madh i martesave në RMV është regjistruar në muajin gusht, ndërsa më pak martesa bëhen në nëntor. Statistikat flasin se në vend martesat kryhen mesatarisht nga mosha 25 deri 29 vjeç, ndërsa divorcet më të shpeshta janë të moshës nga 30 deri 34 vjeç. Mosha mesatare e martesës së parë te nuset është 27.4 vjeç dhe 29.9 për dhëndrin./TVM2