May 3, 2024
BallinaMaqedoni

Ditët e votimit, MASh: S’do të ketë ditë të humbura

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që dy të shtuna të jenë ditë pune në shkollat e Maqedonisë së Veriut për shkak të zgjedhjeve, respektivisht, 24 prilli dhe 8 maji. Nga ky dikaster thonë se dy ditët e zgjedhjeve që marrin dy ditë pune, nuk do të ndikojnë në humbjen e mësimit.

“Mësimi në vitin shkollor 2023/2024 do të realizohet plotësisht, siç parashihet me planet për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme. Edhe pse votimi në kuadër të rrethit të parë dhe të dytë zgjedhor është caktuar në ditë pune, nxënësit nuk do të humbasin mësimet dhe nuk do të kalojnë pjesë të materialit mësimor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se 23 prilli dhe 7 maji, gjegjësisht ditët para votimit, do të jenë ditë pune për të gjitha shkollat. Gjegjësisht në shkollat në të cilat do të zhvillohet procesi zgjedhor, mësimi do të mbahet nga ora 07:00 deri në orën 11:00, me orë të shkurtuara mësimore për të gjitha paralelet, gjegjësisht klasat. Në shkollat e tjera, në të cilat nuk do të votohet, mësimi zhvillohet si zakonisht dhe sipas orarit të caktuar ditor.”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Arsimit.

Reagon SAShK-u: Të tërhiqet njoftimi, janë ditë jopune nga Qeveria

Pas këtij vendimi të Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, deri tek ky dikaster ka reaguar me shkrim Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Kërkojnë nga ministri që menjëherë ta largojë njoftimin nga shkollat. Thotë se nuk munden ditët jopune të bëhen brenda nate ditë pune.

“Vlerësojmë se derisa Qeveria ka sjellë konkluzion se ato dy ditë do të jenë ditë jopune për të gjithë nëpunësit në shtet, atëherë nuk shoh arsye për të punuar vetëm arsimi fillor. E dyta, nëpunësit arsimorë ndjehen të diskriminuar nga ky raport, sepse vetëm sektori i arsimit do t’i zëvendësojë ditët. Ky diskriminim ndjehet me intensitet edhe më të madh për arsyen se edhe arsimi i mesëm edhe i lartë, që janë në kompetencë të Ministrisë, nuk do t’i kompensojnë ditët. Për shumë aspekte, vlerësojmë se këtë njoftim ministri duhet ta tërheq.”, – theksoi kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.

Sipas kryetarit të SAShK-ut, edhe vitet e tjera shkollore kanë përfunduar dhe janë verifikuar nga ministri me më pak se 180 ditë pune, siç është viti shkollor 2021/2022./TVM2