May 3, 2024
Shqipëri

Dita e verës, aktivitete të shumta në Tiranë

Dita e verës mblodhi në kryeqytet me mijëra qytetarë. Favorizuar dhe nga moti i ngrohtë me diell, ata shijuan aktivitetet e shumta që u organizuan. Muzikë, lojëra për fëmijë, stenda me ushqime dhe produkte tradicionale, lojëra sportive apo ekspozitë me piktura dhe makina retro ishin vetëm disa aktivitetet. Në këtë ditë nuk kishte si të mungonin ballokumet dhe veroret, traditë e festës së verës.

Më të lumturit ishin fëmijët, ndërsa më të moshuarit rrëfyen si festohej më parë festa e verës.

Festës iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili uroi të gjithë qytetarët.

Rreth 35 aktivitete për ditën e verës, e cila simbolizon largimin e së keqes së dimrit dhe ardhjen e verës, u përqendruan tek Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Sheshi “Nënë Tereza”, Liqeni artificial, Pazari i ri dhe në Ish-Bllok. Kjo ditë u festua edhe në të gjitha qytetet e tjera e kryesisht në Elbasan, që njihet edhe si kryeqyteti i kësaj feste.