Diaspora maqedonase kërkon që Albin Kurti të shpallet person “non grata”
Grusht shteti kulturor e ka cilësuar organizata “Diaspora e Bashkuar Maqedonase” vizitën e të premtes në Shkup të kryeministrit Kurti dhe aktivitetet e tij të organizuara në bashkëpunim me opozitën shqiptare në Maqedoni.
Sipas diasporës maqedonase, Kurti dhe opozita shqiptare shpallën të premten fitoren e popullit shqiptar në të gjitha trojet e ish-Jugosllavisë.
“Fitoren e ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në mes të Shkupit ia ka ndryshuar emrin rrugës “Brigada e Dytë Maqedonase’ në ‘Adem Demaçi’. Me këtë lëvizje dhe pushtimin e brigadës që çliroi dhe veproi pothuajse në të gjitha frontet në rajonin qendror dhe lindor të Maqedonisë si dhe në Frontin e Sremskit, Serbi, Kroaci dhe Slloveni, ballistët shqiptarë krijuan një fitore kulturore në qendër të Maqedonisë, në Shkup. Diaspora e Bashkuar Maqedonase e dënon këtë akt si kërcënim për kulturën, kombin dhe një grusht shteti ku një kryeministër i huaj shpall fitoren në mungesë të një lideri politik maqedonas (mikpritës)”, thuhet në reagimin e DBM-së.
Diaspora e Bashkuar Maqedonase i kërkon Qeverisë që ta shpallë si person të padëshiruar në RMV, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“DBM kërkon nga Qeveria e Maqedonisë që t’i shkruajë një letër proteste Kosovës, ta shpallë Albin Kurtin person non grata, të flasë hapur dhe seriozisht me bllokun shqiptar për këtë akt totalisht jo shtetëror, duke i kthyer të gjitha pikat e referimit, emrat e rrugëve, korrigjimin e të gjithë flamujve shqiptarë. në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe duke vepruar në pajtim me ligjet”, thuhet në reagimin e tyre.