Dhunë në një familje në Pejë, nëna e çon në Polici djalin e saj
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje një grua në Pejë, e cila ka denoncuar djalin e saj.
Media mëson se 63-vjeçarja ka deklaruar se i dyshuari vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj saj dhe anëtarëve tjerë të familjes. Bazuar në dëshminë e viktimës, 24-vjeçari para disa ditësh i ka shkaktuar lëndime trupore, pasi e ka rrëzuar.
Nëna ka marrë trajtim mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.