Detaje të reja nga tentim-grabitja në Prizren, personat e armatosur gjatë ikjes dogjën veturën
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorëve të këtij rasti kriminal.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në Prizren rreth orës 17:00.
Persona të armatosur me armë të gjata gjatë tentimit për të grabitur një argjendari në rrugën “Adem Jashari” në Prizren kanë plagosur pronarin e biznesit dhe djalin e tij.
Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj në një prononcim nga vendi i ngjarjes thotë se grabitësit pas tentimit për grabitje janë larguar me një veturë në drejtim të Suharekës.
“Grabitësit në largim e sipër kanë aksidentuar një automjet. Automjeti i tyre me këtë rast është djegur. Ata më pas kanë marrë një tjetër automjet dhe janë larguar. Ka pasur edhe të shtëna në drejtim të organeve policore por për fat të mirë nuk ka pasur të plagosur”, tha Osmanollaj.
“Apelojmë te qytetarët që të na ndihmojnë për të identifikuar të dyshuarit”, deklaroi tutje Osmanollaj.
Derisa Kryeprokurori i Prizrenit thotë se grabitësit kanë qenë të pajisur me armë të gjata.
“Ata kanë tentuar të grabisin argjendarinë, derisa kanë hasur në rezistencë nga pronarët e biznesit me çrast nga pala e dëmtuar kemi dy të plagosur. Grabitësit nuk kanë mundur të grabisin diçka”, ka deklaruar Kryeprokurori.