May 12, 2024
Kosovë

Derisa Kurti po fliste në Kuvend, Haki Abazi vendos në foltore mbishkrimin “Kush e lëshoi Radoiçiqin nga rrethimi”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur raportimin në Kuvend për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten e javës së kaluar, kanë mbajtur takime të ndara me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas takimit Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur gatishmëri për pajtim në Bruksel rreth propozimit të ri evropiano-amerikan lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u është prezantuar palëve më 21 tetor.

Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, duke e përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar më herër nga diplomatët euroatlantikë.

Por, sipas komunikatës së Qeverisë, nënshkrimi i marrëveshjes është refuzuar nga Serbia.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se “nuk bëhet fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrime të ndonjë gjëje”, porse për “zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, duke iu referuar propozimit ndërkombëtar për Asociacionin

Rendi i ditës i seancës plenare

Raportimi i Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës,

Votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë,

Shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,

Zgjedhja e 2 (dy) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,

Zgjedhja e 1 (një) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb,

Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje,

Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.