Maqedoni

Deputetja Sadiki-Shahini: Kjo Qeveri kërkon anëtarësim në BE, por e lutë Zotin të mos ndodhë! (Video)

(Fjalimi i deputetes Safije Sadiki-Shahini gjatë seancës për ndryshimet kushtetuese)

Sot, kur jemi mbledhur në këtë kuvend të popullit, për të dëshmuar përkatësinë tonë PRO ose antieuropiane, si dhe për t’i shprehur qëndrimet tona politike, fillimisht mendoj se duhet të konstatojmë se ne si shtet dhe si deputetë jemi shumë vonë në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Kjo qeveri, duke bërë kalkulime elektorale, e ka sjellë punën që gjëja më e rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e vendit të vihet në pikëpyetje pikërisht sepse ky estabilishment qeverisës nuk e ka mendjen tek e ardhmja e qytetarëve, por tek e ardhmja e tyre personale. Me dinamikën e vendosur nga kjo shumicë parlamentare dhe nga Qeveria e RMV-së, më shumë synohet të aktrohet dhe të simulohet agjendë europiane sesa që ka një agjendë mirëfilli të tillë. Kjo i ngjan proverbit “kërkoj punë, por e lus Zotin të mos gjej”. Pra, shumica e këtij Kuvendi dhe Qeveria i sjellin ndryshimet kushtetuese në Kuvend jo për shkak se besojnë dhe angazhohen për integrimin europian, por sepse atyre u duhet një fajtor që ato të mos kalojnë dhe kjo të jetë në dobi të tyre elektorale. Prandaj, unë jam sot këtu t’ju bëj thirrje që të gjitha grupet parlamentare ta caktojnë vetëm nga një përfaqësues që do të flasë, t’i mbyllim ashtu diskutimet sot dhe menjëherë të kalojmë në votim. Ta shohim cila është shumica që i mbështet ndryshimet kushtetuese! E nëse nuk ka shumicë, që sot t’i shpallim zgjedhjet e reja, sepse nuk ka kuptim që Parlamenti të vazhdojë me këtë përbërje nëse detyrën kryesore, pra ndryshimet kushtetuese, nuk është në gjendje ta bëjë.
E nëse në këtë rast ju intereson se cili do të jetë qëndrimi i Alternativës, ne po e përsërisim se do të jemi faktor konstruktiv dhe me gjithë mend europian. Ashtu si më 2021, kur mes interesit partiak dhe atij të përgjithshëm qytetar, u përcaktuam për këtë të dytin, sado që kjo shumicë e nëpërkëmbi pastaj atë vullnet dhe e shkeli marrëveshjen për bashkëqeverisje, ne përsëri jemi të gatshëm të dëshmojmë se për ne alternativa e vetme mbetet Bashkimi Europian sot dhe menjëherë, por që ta bëjmë këtë, presim kjo shumicë dhe kjo qeveri të reflektojë. Një veprim i munguar prej tyre deri sot.

Megjithatë, derisa jam këtu nuk mund të mos e shpreh edhe pakënaqësinë time dhe të Alternativës për qasjen joeruopiane të kësaj qeverie dhe zhgënjimin që ajo e ka shkaktuar tek ne. Janë dy çështje që na kanë bërë të shqetësohemi se në këtë vend ka pushuar ëndrra europiane dhe këtu funksionon vetëm kalkulatori zgjedhor. Siç e dimë tashmë të gjithë, qeveria e solli propozimin për ndryshime kushtetuese pa e propozuar zgjidhjen e çështjes së gjuhës shqipe dhe, së dyti, pa dëshmuar kapacitete për luftë kundër korrupsionit.
Çështja e parë, pra emërtimi i gjuhës shqipe, normalisht, nuk është diçka që e ndryshon statusin e përdorimit të saj, sepse me ligjin e vitit 2018-të është bërë njëfarë avancimi dhe shqipja përsëri ka mbetur në grupin e gjuhëve të pakicave, ndërsa Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë shtet monogjuhësor. Por, kjo më shumë ka karakter simbolik. Bashkëqytetarëve tanë maqedonas u vinte shumë keq kur zyrtarët europianë dikur i emërtonin me “kombi juaj” e “gjuha juaj”, ndërsa nuk u vjen fare keq që bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë gjuhën t’ua emërtojnë si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20% e popullatës e që nuk është e njëjtë me maqedonishten”. Kjo i bie sikur të themi për maqedonasit “një popull sllav që jeton në veri të Greqisë, në lindje të Shqipërisë dhe në jug të Kosovës e Serbisë” ose për maqedonishten se ajo është “gjuha sllave që nuk është e njëjtë as me serbishten e as me bullgarishten, ndërsa flitet në Maqedoninë e Veriut”. Ma merr mendja se sa do të ndjeheshit të ofenduar, të dashur kolegë deputetë maqedonas. Pikërisht ashtu ndjehen shqiptarët sot, sepse ju – deputetë të LSDM-së, bashkë me partnerët tuaj shqiptarë, BDI e ASH – vendosni t’i emërtoni shqiptarët me eufemizma ofendues e përbuzës. E derisa jam këtu, më duhet të them se ky refuzim i emërtimit të gjuhës shqipe flet për një nëntekst që ka shpjegim psikologjik, për fat të keq patologjik. Ju mendoni se duke e lënë për gjuhën shqipe emërtimin 20%, një ditë shqiptarët do ta humbin këtë përqindje, sepse vetëm në këto 20 vjetët e fundit keni shpërngulur mbi 300 mijë shqiptarë, dhe ashtu edhe gjuha shqipe ta humbë atë pak status të përdorimit që e ka. Nëse është kështu, ndërsa ky refuzim i juaji kategorik më bind për këtë, kjo flet për shovinizëm të LSDM-së dhe servilizëm të BDI-së dhe ASH-së.
E se në këtë pikë jeni albanofobë më bind edhe një argument tjetër. Në kornizën e votuar në vitin e kaluar të propozimit frëng për hapjen e negociatave, të cilin një politikan shqiptar e kishte lexuar mbrapsht, aty nuk ishte çështja e futjes së kroatëve, malazezëve e hebrenjve në preambulë. Por, si shenjë e vullnetit të mirë, qeveria e ndryshoi detyrimin dhe vendosi t’i përfshijë edhe ata, sigurisht – sipas tyre – për t’i relativizuar bullgarët, si dhe për të dëshmuar zemërgjerësi ndaj komuniteteve pakicë. Nejse, këto partitë shqiptare të pushtetit nuk e marrin vesh se kështu shqiptarët janë barazuar edhe më komunitete nën 1%, por prej tyre nuk presim më shumë. Megjithatë, ajo që është për t’u vënë re është se qeveria mundeshka të shfaqë zemërgjerësi dhe ta ndryshojë planin frëng për arsye të tjera, por jo edhe për ta zgjidhur një emërtim të gjuhës shqipe, të gjuhës së një populli autokton që është 1/3 e popullatës së këtij shteti. T’ua them sinqerisht, ta bënte këtë VMRO-ja, mund të pritej prej saj, ama se e bën këtë LSDM-ja, natyrisht bashkë me disa shqipfolës, këtë nuk e kisha besuar kurrë. Pikërisht kjo LSDM, që shkonte fshatrave shqiptare dhe fliste për “shtet qytetar”, kur vjen puna te shqiptarët nuk dallon shumë nga Levica. Sidoqoftë, më duhet t’ju them se edhe në vitin 2023 tema e gjuhës shqipe nuk është mbyllur dhe kështu keni lënë një ferrë në këmbën e brezave që vijnë pas. Herë do kurdo, do t’jua vrasë këmbën.
Duke e njohur matricën albanofobe jugosllave, edhe e kuptojmë refuzimin e gjuhës shqipe, por çështja e dytë zhgënjyese është që në këtë propozim nuk u mor në konsideratë as propozim-amendamenti ynë kushtetues për luftën kundër korrupsionit. Kjo flet jo më pak keq për këtë shumicë qeveritare. Së pari për arsye se për çfarë integrimi europian flet ajo kur heziton ta luftojë korrupsionin politik, ndërsa ne të gjithë e dimë se sundimi i ligjit, si dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë parimet themelore të BE-së? Prandaj, kjo më shtyn të mendoj se ata duke e pasur përvojën e kryetarit të Strugës, kanë frikë për të ardhmen e tyre, andaj kanë pasur drojë ta përfshijnë propozimin që lëndët e korrupsionit politik të mos mund të vjetrohen asnjëherë. Informacionet që dalin çdo ditë për blerjet e qendrave si SORAVIA, manipulimet financiare me ndërtimin e korridoreve rrugore, por edhe përqindjet nga lojërat e fatit, janë shenja alarmi për ne, se ata që e refuzojnë luftën kundër korrupsionit kanë frikë pikërisht për veten e tyre. E nëse në këtë sallë kemi politikanë të tillë dhe ata madje janë shumicë dhe aktrojnë propozuesin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, ky është lajm shumë i keq për qytetarët tanë, por edhe për Brukselin.

Sidoqoftë, kolegë të nderuar, po e përfundoj fjalën time duke ju thënë se ne do të jemi këtu dhe do të vazhdojmë të presim që kjo qeveri dhe kjo shumicë të na bindë se e ka me gjithë mend integrimin në BE. Megjithëse jemi të bindur se kjo kushtetutë për europianizim, ka nevojë shumë që ta shprehë kohezionin ndëretnik dhe ka nevojë për korrigjimin e definicioneve të gabuara në të, pra për ridefinim, presim që propozuesi ta përfshijë në rend dite edhe korrigjimin e definicionit për gjuhën shqipe, si edhe për luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që ne edhe t’ia lejojmë vetes sonë votën PRO.

Video: https://www.facebook.com/100064382042118/posts/pfbid0oEeAQVvFTgJNTSFKY7yW9ReJkPUgAEZgu2gyDehBoLs93abVShKbVqFrGGs5H2Qpl/?mibextid=I6gGtw