Deputetja gjermane: Fjalët ngushëlluese të BE-së zhgënjejnë më tej Ballkanin
Deputetja e Bundestagut, Renate Alt, anëtare e Komisionit të Jashtëm të Bundestagut dhe raportuese e grupit parlamentar të liberalëve për Europën Lindore e Juglindore në një prononcim për Deutsche Ëellen mban një qëndrim kritik ndaj rezultateve të samitit të BE-së e Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Bërdo.
RENATE ALT, DEPUTETE
“Që vendet e Ballkanit Perëndimor edhe më tej duhet të kënaqen me fjalë ngushëlluese çon në zhgënjim të mëtejshëm në rajon në lidhje me procesin e anëtarësimit. BE e dëmton kështu imazhin e saj me këtë dhe humb kështu besimin që i duhet në procesin e anëtarësimit. Sidomos vendeve me vullnet për reforma si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do ta kenë më të vështirë”.
Deputetja gjermane, Renate Alt kërkon që qeveria gjermane në detyrë dhe vende si Austria ta bindin Francën, se perspektiva e anëtarësimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimi i mëtejshëm i BE, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.
RENATE ALT, DEPUTETE
“Sigurisht kjo nuk i çliron nga përgjegjësia 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për të bërë përparime konkrete në fushën e shtetit ligjor, lirisë së mediave dhe luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Për BE ka rëndësi: Bëhet fjalë për influencën e saj në rajon, që po sfidohet nga vende si Kina dhe Rusia e Turqia, si edhe për stabilitetin e kontinentit europian”.
Në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor që u mbajt të mërkurën në Brdo të Sllovenisë vetëm u rikunfirmua qëllimi për zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Liderët Evropianë nuk e futën në rend dite propozimin slloven që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfundojnë integrimin deri në vitin 2030.