Deputeti i VMRO-së nuk shkoi në Strasburg, ku pritet të votohet anëtarësimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
Deputeti dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski, sot nuk ka udhëtuar për në Strasburg, kur në Këshillin e Parlamentit të Bashkimit Evropian pritet të votohet anëtarësimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shkruan gazeta KOHA.
Për në Strasburg kanë udhëtuar dy anëtarët tjerë të Maqedonisë së Veriut – deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli dhe deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski, por jo edhe Nikollovski i VMRO-së.
Në një bisedë me gazetën KOHA, deputetja Bilalli Zendeli tregon se pasdite, rreth orës 16 fillon debati për Raportin dhe aplikimin e Kosovës si anëtare e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës, ndërkohe që rreth orës 20 duhet të votohet. Të dy, Bilalli Zendeli dhe Kaevski kanë paralajmëruar se do të votojnë PËR anëtarësimin e Kosovës në APKE.
Në Bruksel, deputetja Bilalli Zendeli është me kolegun Kaevski, ndërsa mungon Nikollovski i VMRO-së, as edhe zëvendësi i tij Misajllovski.
I pyetur për arsyet e mungesës së Nikollovskit dhe Misajlovskit në seancën ku vendoset aplikimi për pranim në Kosovë, nga kabineti i Mickoskit janë përgjigjur për gazetën se nuk kanë shkuar për shkak të obligimeve në fushatën zgjedhore, e jo se kanë pasur diçka kundër Kosovës.
Gazeta KOHA merr vesh se Nikollovski nuk ka shkuar në Strasburg, pasi qëndrimi i VMRO-së është të mos votohet PËR anëtarësimin e Kosovës, dhe me këtë, t’i bëj qejfin Serbisë dhe Aleksandar Vuçiçit.
Maqedonia e Veriut ka tre anëtarë në Këshillin e Parlamentit: Aleksandar Nikollovski i VMRO-së, Darko Kaevski i LSDM-së dhe Arta Bilalli Zendeli e BDI-së. Zëvendës të tyre janë Vllado Misajllovski, Fanica Nikollovska dhe Artina Qazimi.
Ndryshe, anëtarësimi në Këshillin e Evropës – një synim i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008 – do të nënkuptonte, mes tjerash, përfaqësimin e parlamentarëve të saj në Asamblenë Parlamentare të organizatës. Kosovarët, po ashtu, do të mund t’i paraqisnin rastet e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendi do t’i bashkohej edhe Unionit të Transmetuesve Evropianë, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së tij në garën vjetore të këngës, Eurovizion.
Nëse sonte në Strasburg – dy të tretat e parlamentarëve kombëtarë që përfaqësojnë 46 shtetet anëtare të organizatës, japin dritën e gjelbër, çështja do të kalojë para ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, saktësisht një muaj më vonë, dhe ata do ta marrin vendimin përfundimtar. (koha.mk)