Deputetët e LSDM-së do të votojnë për shkarkimin e Gashit
Deputetët e LSDM-së dhe koalicionit do të votojnë për interpelancën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, të propozuar nga “Levica”.
“Në vetëm dy muaj në qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE kanë ndodhur një sërë skandalesh dhe nuk ka përgjegjësi për askënd.
Kështu është edhe me kryetarin e Kuvendit”, vlerëson LSDM, transmeton Lideri.mk.
Në vazhdim LSDM ka numëruar edhe disa shkaqe ku e ka bazuar këtë vendim:
“Në aeroportin e Shkupit ka ndodhur një incident skandaloz ku ndër të tjera sigurimi i Gashit ka sulmuar një polic, e ka kërcënuar me armë dhe ka shkelur rregullat dhe ligjet.
MPB-ja në raportin e saj ka theksuar se sigurimi është dërguar në mënyrë të paligjshme në aeroport, duke ia ngarkuar kështu përgjegjësinë drejtpërdrejt Gashit, i cili ka dhënë urdhrin për sigurimin.
VMRO-DPMNE dhe Mickoski duhet të ishin të parët që do të kërkonin përgjegjësi për Gashin pas këtij konstatimi të MPB-së.
Ka pasur një skandal me një makinë zyrtare në një dasmë. Më pas është skandali edhe më i madh me dasmën e Gashit duke kaluar kufirin me Kosovën me vetura private dhe pa asnjë kontroll.
Mickoski premtoi se asnjë politikan nuk do të kursehet nga përgjegjësia politike nëse vërtetohet se ka punuar kundër rregullave dhe ligjeve, dhe tash e mbron me zell Gashin pas të gjitha skandaleve.
Duhet të ketë përgjegjësi politike dhe prandaj deputetët e LSDM-së do të votojnë për interpelancën dhe në diskutimin në Kuvendin e Maqedonisë do t’i paraqesin të gjitha argumentet”, njoftoi LSDM./Lideri