Departamenti i Shtetit: Shkupi dhe Sofja të vazhdojnë me dialogun për zgjidhjen e dallimeve
I inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë me dialogun e tyre dypalësh për zgjidhjen e dallimeve, deklaroi për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në pyetjen nëse SHBA-ja ka marrë garanci nga partnerët bullgarë se nuk do të ketë veto të re për integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut pasi që të miratohen ndryshimet kushtetuese.
“SHBA-ja fuqishëm e mbështet integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Bashkim Evropian që e përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fuqishëm dhe më prosperues. I inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që të vazhdojnë me dialogun e tyre dypalësh për zgjidhjen e dallimeve, përmbushjen e marrëveshjeve paraprake dhe mbështetje të qasjes së shpejtë të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në debat për rajonin në Kongres muajin e kaluar, tha se SHBA-ja është e angazhuar me qeverinë e re bullgare që të sigurohen se nuk do të ketë kërkesa të reja pasi shteti do t’i përmbushë detyrimet nga marrëveshjet ekzistuese.
“Që t’i vazhdojë aspiratat e saj për BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut u angazhua që të bëjë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare. Fuqishëm e mbështesim këtë hap të rëndë, por të patjetërsueshëm”, tha Eskobar para Kongresit para pak kohësh.
Mbledhja për fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, gjegjësisht pët votimin e nevojës për ndryshime të Kushtetutës, është caktuar për më 18 gusht.
Për momentin nuk ka koncencus mes pushtetit dhe opozitës për ndryshimet me të cilat edhe bullgarët do të përfshiheshin në Kushtetutë, kusht për hapjen e kapitujve negociues.
Eskobar, në intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase në maj, tha se me mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese opozita e mbështet rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, e jo kryeministri.
“Ne nuk po i kërkojmë opozitës të mbështesë kryeministrin. Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është marrëveshja më e mirë që kemi marrë. Ajo është e arsyeshme, mendoj tani për tani, dhe ne duhet të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, shpresoj që të gjitha palët e spektrit politik i mbështesin ndryshimet e nevojshme në mënyrë që të ecim përpara në avancimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut”, theksoi Eskobar.
Presidenti bullgar Rumen Radev, para pak kohësh deklaroi se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është vetëm “kusht preliminar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, dhe se nuk i plotëson kushtet që duhet t’i përmbushë Maqedonia e Veriut, transmeton Zëri i Amerikës.