May 16, 2024
Maqedoni

Dekorohet Bedri Mustafa, veprimtari nga Sllupçani i Kumanovës, njëri ndër themeluesit e LDK-së në Gjermani

Kumanova dhe rrethina kanë shumë veprimtarë në diasporë me veprat e të cilëve krenohen. Në Zvicër, Gjermani, Austri, Belgjikë, Skandinavi, Amerikë e Australi, ka numër të madh të kumanovarëve që në me bashkëkombas nga troje tjera shqiptare, japin bashkë kontribut të pamohueshëm si në sferën kombëtare, poashtu edhe në sferën humanitare, fetare, kulturore, sportive, etj.

Njëri prej bashkëkombasve të dalluar është edhe Bedri Mustafa, me prejardhje nga Sllupçani i komunës së Likovës-Kumanovës. Tani pesëdhjetë vite jetë në mërgim, lidhja e tij me vendlindjen nuk është shkëputur asnjëherë.

“Vendlindjen e kam lëshuar që në vitin 1969, kur për shkak të presionieve të organeve të atëhershme represive të Jugosllavisë e ndërpreva mësimin. Por ardhja në Gjermani nuk ishte ndërprerje e kontributit për vendlindjen, por aktivitet edhe më i madh dhe më intenziv”, thotë Mustafa për portalin Lideri.mk.
I lindur në vitin 1948, ai ka migruar në Gjermani para 53 viteve, në vitin 1969. Deri në vitin 1974 ka punuar në fabrikën “Saks”, kurse më pas ka kaluar në kompaninë BAM, ku gati 40 vite ka punuar si laborant për cilësinë e asfaltit.
Si punëtor i dalluar, nga kjo kompani është dekoruar katër herë me dekorata të ndryshme.
Në vitin 1985 është zgjedhur përfaqësues i gjithë punëtorëve nga vendet e huaja në qytetin Shvajnfurt.

Krahas punës së palodhshme për të siguruar kushte jetese për vete dhe për familjen në vendlindje, mërgimtari i palodhshëm Bedri Mustafa ka gjetur kohë edhe për aktivitete politike në favor të kombit. Në vitin 1985 ka themeluar shkollën shqipe në qytetin ku jeton, kurse në vitin 1990 ka formuar shoqatën shqiptare “Iliria”.

Në fund të viteve të 80-ta dhe fillim të viteve të 90-ta, ai ka qenë ndër aktivistët e parë për themelimin dhe shtrirjen në Gjermani të LDK-së së presidentit legjendar Ibrahim Rugova.
“Kosova kishte nevojë për ne dhe vendosa ti përgjigjem thirrjes së vendlindjes. Më 5 maj u zgjodha kryetar i nëndegës së LDK-së për Wyrzburg dhe Shfajnfurt. Jam krenar që falë besimit të bashkëveprimtarëve u zgjodha kryetar i nënedegës së parë të LDK-së në Gjermani, që ishte fillim i një aktiviteti historik dhe shembullor të përhapjes së LDK-së në mbarë Gjermaninë dhe Evropën Perëndimore”, shprehet Mustafa duke evokuar kujtime për aktivitetet e bujshme të asaj kohe.

Mustafa është i brengosur që rinia shqiptare masovisht po braktis trojet dhe po ikë edhe sot e kësaj dite. Porosia e tij është që të mos shkëputet lidhja mes shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre dhe shqiltarëve në diasporë.

“Porosia ime është që të ruhet lidhja vendlindje-diasporë. Kur kishte nevojë vendlindja, diaspora e dha provimin. Tani kemi shtetet tona, institucionet tona që duhet të punojnë natë e ditë fillimisht të krijojnë kushte për rininë tonë të mos largohen nga vendlindja, e pastaj të ruajnë dhe të kultivojnë lidhjet me bashkëkombasit që për shkak të rrethanave të ndryshme kemi vendosur të jetojmë këtu. Nëse shkëputet lidhja vendlindje-diasporë, do të dështojmë si komb”, thotë Mustafa në bashkëbisedimin e tij me ekipin e portalit Lideri.mk që e vizitoi në qytetin Shvajnfurt afër Nyrnbergut, me rastin e festave të Nëntorit.

Ai nuk ndalet sot e kësaj dite me aktivitete të ndryshme, falë të cilave aktivitete është dekoruar me mirënjohje nga kryesia e Shoqatës Iliria me rastin e 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit.
Ai aktivist shumë vjeçar, ai është shpallur edhe Anëtar nderi i kryesisë së kësaj shoqate të dalluar me aktivitet intensiv ndër vite.