May 14, 2024
Kolumna

Dekadat e oligarkisë në Maqedoninë e Veriut

Meqë kontestit ndërshtetëror së shpejti nuk i shihet fundi, shtrohet çështja e qëndrueshmërisë së Maqedonisë së Veriut, sidomos në segmentin ekonomik, duke mos qenë pjesë e BE-së. Gjatë tre dekadave kemi pasur elita politike, të cilat kanë pasur në rend të parë interesat personale, klanore dhe partiake. Duke pasur oligarkinë, të instaluar në sistemin ekonomik dhe me ndikim të jashtëzakonshëm ndaj politikës dhe qeverisjes, Europa është e largët.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Maqedonia e Veriut i ka gjasat e vogla që në një të ardhme të afërt të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, pasi kontesti historik me Bullgarinë po merr përmasa të pazgjidhshmërisë, meqë pala bullgare mohon identitetin etno-kulturor, mbi të gjitha gjuhësor të popullit maqedonas, ndërsa pala maqedonase thirret në të drejtën e vetë – përkufizimit identitar dhe veçantisë së gjuhës dhe kombit maqedonas, krejtësisht i dallueshëm nga kombi bullgar dhe nga gjuha, kultura dhe historia bullgare.

Nuk ka shenja për integrim në BE

Kontesti ndërshtetëror ka arritur në këto dimensione dhe së shpejti nuk i shihet fundi, edhe për faktin se në të dy shtetet, kemi joqëndrueshmëri politike. Në Bullgari pas zgjedhjeve parlamentare kishte probleme me formimin e qeverisë, ndërsa pas zgjedhjeve vendore në Maqedoninë e Veriut pushteti qendror, veçanërisht pas debaklit të Lidhjes Socialdemokrate ballafaqohet me lëvizjet e opozitës maqedonase (VMRO-DPMNE) dhe opozitës shqiptare (Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe Alternativa e Afrim Gashit) për shumicë të re parlamentare, por, duke mos përjashtuar as opsionin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do t’i organizonte qeveria aktuale e Zoran Zaevit ose qeveria e re e Hristijan Mickovskit.

Duke pasur parasysh se në këto konstelacione të forcave politike në dy vendet respektive, zgjidhja e kontestit mbetet status quo, shtrohet çështja e qëndrueshmërisë dhe funksionimit të sistemit shtetëror në Maqedoninë e Veriut, sidomos në segmentin ekonomik, duke mos qenë pjesë e BE-së.

Natyrisht se kjo dilemë do të ishte e zgjidhshme, nëse do të kishim elita të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme politike, që drejtojnë shtetin dhe institucionet e sistemit dhe do të zbatonin standardet dhe vlerat europiane, sikur vendi të ishte pjesë e BE-së.

Lindja dhe ngritja e “oligarkisë së tranzicionit”

Gjatë tre dekadave, në Maqedoninë e Veriut kemi pasur elita politike, të cilat kanë pasur në rend të parë interesat personale, grupore (klanore) dhe partiake, para interesave publike dhe shoqërore. Këto elita, duke filluar nga qeveria e parë e LSDM-së dhe PPD-së deri tek kjo e fundit e LSDM-së dhe BDI-së, me nuanca në periudha të caktuara të historisë politike, janë pasuruar dhe kanë bërë lidhshmëri të politikës dhe qeverive me biznesin përkatësisht me oligarkinë maqedonase. Themi maqedonase, sepse pjesë e saj nuk është asnjë biznesmen shqiptar dhe nuk ekziston oligarki shqiptare në kuptimin etnik të fjalës. Gjithë këto tridhjetë vite në vend, është ngritur “oligarkia e tranzicionit”, e përbërë nga 10 biznesmenë të fuqishëm, që kryesisht janë ish- drejtorë të ndërmarrjeve me kapital shtetëror, të cilët e privatizuan kapitalin shoqëror dhe sot janë pronarë të kompanive të fuqishme në fushën e ndërtimit, metalurgjisë, teknologjisë informatike, farmacisë, sistemit bankar, prodhimit të pijeve dhe fusha tjera të biznesit. Këtë oligarki e formoi dhe e ngriti me kontribut personal dhe politik ish kryeministri Branko Cërvenkovski në vitet 1992 – 1998, ndërsa edhe pse paralajmëroi atë asgjë nuk e gjeti nga qeveria e ish kryeministrit Lubço Georgievski në vitet 1998 – 2002. Oligarkia ka pasur ndikim të madh ndaj qeverive në dhjetëvjetorin e parë të ekzistimit të Maqedonisë së pavarur dhe sovrane, për shkak të injektimit financiar të fushataveparazgjedhore të partive në pushtet dhe derdhjes së parave për qëndrimin e tyre në majën e piramidës së sistemit partiak, pavarësisht nëse në qeverisje ishte LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja.

Oligarkia do të ketë pak frikë dhe panik nga qeverisja e Cërvenkovskit, i cili paralajmëronte se me ardhjen në pushtet do të pastrojë hesapet me oligarkinë, por në fakt do të mbeten në nivelin e deklarimeve apo paralajmërimeve, herë publike e herë gjysmë – publike, siç mbeti i parealizuar kurrë premtimi se do ta luftojë korrupsionin, që e quante figurativisht oktopod. Kjo, për faktin, se oligarkia jo që pësoi gjë e nuk i mungoi “therë në këmbë”, por ajo madje arriti në vitin 2004, ta imponojë kryeministrin, edhe pse vetëm për pak muaj. Hari Kostov, drejtor i Bankës Komerciale u bë kryeministër i vendit, ndërsa u propozua dhe u mbështet nga “lobi vllah”, i cili njihet për fuqinë e tij të madhe ekonomike.

Gruevski rilindi dhe forcoi oligarkinë

Ardhja në skenën politike e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski, mendohej se do të shkaktojë kokëçarje për oligarkinë, pasi ai premtonte rritje ekonomike dhe fokusim në reformimin e sistemit ekonomik, por që gjatë viteve të qeverisjes së tij do të ketë shumë pak rezultate në këtë drejtim. Në vend se ta luftojë oligarkinë, Gruevski e rilindi atë. Ashtu siç e kishte moton “Rilindje në 100 hapa”, partia e tij e rilindi në nivele shumë të fuqishme oligarkinë, me një pjesë të madhe, të së cilës shteti përkatësisht qeveria kishin partneritet të fuqishëm, sidomos në realizimin e projektit monoetnik dhe monoreligjioz “Shkupi 2014”.

Pas vitit 2017, vetë kryeministri Zoran Zaev vjen në pushtet me mbështetjen e fuqishme të lobit të biznesit të madh, ndërsa do t’i vazhdojë lidhjet e pandërprera mes politikës dhe qeverisjes me biznesin, duke mos ua turbulluar aspak ujin oligarkëve. Ata që pasuroheshin me para të fituara nga projektet shtetërore, vazhdojnë të stërpasurohen nga “djersa e popullit”, sepse realizimi i projekteve kapitale sjell përfitime të mëdha marramendëse.

Afër dhe larg Europës dhe vlerave të saj

Duke pasur këtë oligarki, të instaluar në sistemin ekonomik dhe e cila ka ndikim të jashtëzakonshëm ndaj sistemit politik dhe qeverisjes, Europa dhe vlerat europiane do të vazhdojnë të jenë të largëta. Shteti dhe qeveria, duke favorizuar vazhdimisht vetëm disa kompani në tregun vendor, e ngulfat ekonominë e lirë të tregut dhe praktikisht përmes ndërhyrjes shtetërore në këtë sektor shkakton konkurrencë joluajale. Kjo do të thotë se edhe disa veprime të dyshimta, që lidhen me oligarkët janë parë me një sy ose janë “amnistuar” nga politika, e cila në këmbim ka fituar shumë para, që i ka përdorur për zgjedhje. Të mbrosh oligarkinë nuk është aspak europiane dhe është në kundërshtim me shtetin e së drejtës dhe barazisë sociale, pra nuk është as humane. Të mbrosh me instrumente institucionale oligarkët do të thotë të bësh pakt me njerëz që në biznes hynë duke “privatizuar” kapitalin shoqëror përkatësisht të popullit, ndërsa vazhduan të bëjnë përfitime ë majme, duke u financuar nga buxheti i shtetit. Madje, oligarkët as që duan që vendi të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, sepse nëse bëhemi pjesë e kësaj organizate duhet të plotësojnë standarde, ndërsa deri sa jemi “as në qiell, as në tokë”, pra pak afër dhe më shumë larg BE-së, biznesi funksionon sipas rregullave dhe standardeve tipike ballkanike, që shpeshherë janë unikale, pra me specifikat e biznesbërjes në vend!

Duke qenë se Bashkimi Europian është më shumë larg, se sa afër, ndërsa shteti juridik funksionon në minimum apo në “këmbë që qelqta”, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është më shumë deklarative se sa objektive, si do të mbijetojë Maqedonia e Veriut dhe sistemi i saj? Gjithsesi se me shumë vështirësi, me shumë kriza, sidomos në planin ekonomik, ndërsa Bashkimi Europian do të vazhdojë të ndjek procesin e reformimit. Do të vazhdojë status quoja apo shtetndërtimi në stilin “tërhiqe e mos e këput”, ndërsa qytetarët gjithnjë e më pak do të presin integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe do të integrohen vetë ose me familjet e tyre në Europën e civilizuar.

Ata pak njerëz, që do të mbesin këtu do të vazhdojnë të bashkëjetojnë me paradokset e mëdha, siç është ai i shpenzimit të miliona eurove për fushatat e shtrenjta të partive politike, zgjedhje si zakonisht, pa qenë të parakohshme ose të jashtëzakonshme, mbahen shpesh, shpenzime joproduktive do të vazhdojë të ketë, siç edhe do të ketë rritje të varfërisë, e cila për shkak të krizës së paralajmëruar energjetike në fund të vitit 2021 do të vazhdojë të bëhet edhe më ekstreme.

Vetëm oligarkët do të jetojnë mirë, do vazhdojnë rishtas të fitojnë shumë para, sa nga biznesi i tyre, e më shumë nga shteti! Që i bie se vetëm oligokracia është e përjetshme në Maqedoninë e Veriut!