Dehari: Rrethi i dytë përcakton fituesin në Kërçovë
Kandidati i BDI-së për kryetar të Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari ka falënderuar qytetarët dhe veçanërisht mërgimtarët për kontributin dhe besimin e dhënë në zgjedhjet lokale.
“Përzemërsisht ju falënderoj për votën tuaj, për besimin që ma dhatë edhe në këto zgjedhje ende të papërfunduara, sepse rrethi i dytë përcakton fituesin. Ajo që skajshmërisht më gëzon është votimi i dinjitetshëm, i qetë dhe demokratik”, shkruan Dehari në Facebook.
Dehari thekson se edhe kur nuk përputhemi në koncepte a ide të qeverisjes së pushtetit lokal, prapë e ardhmja jonë mbetet zhvillimi i mëtejmë infrastrukturor i qytetit dhe përmirësimi edhe më cilësor i shërbimit administrativ ndaj qytetarëve, që thjeshtë përbëjnë një tërësi të pandashme të qytetit.
“E juaja është ta ruajmë frymën tonë e t’i jetësojmë planet e sigurta, projektet madhore për të cilat ekzistojnë edhe fonde të ndryshme. Duke unifikuar vullnetin tuaj, ne bëhemi shëmbëlltyrë e fitores së qytetit e assesi jo të individit”, shton ai.