Maqedoni

Dehari i pakënaqur nga angazhimi i Grubit për UÇK-në

Kryetari aktual i komunës së Kërçovës dhe ish ushtar i UÇK-së, Fatmir Dehari, është i pakënaqur me angazhimin e zv.kryeministrit të parë, Artan Grubi, për ish pjestarët e UÇK-së, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Dehari tha se këtë temë, Grubi nuk e ka përfshirë fare në raportin e tij si zv.kryeministër të prezantuar në parti. Gjatë intervistës së tij, në Programin 200, Dehari tha se BDI-ja është fuqishëm e pozicionuar në këtë Qeveri, por nuk e ka shfrytëzuar këtë pozitë që ka për të bërë sa duhet për ish ushtarët e UÇK-së.

Megjithatë, edhe vetë Dehari ishte i paqartë nëse angazhohet që kjo çështje të zgjidhjet me ligj, siç është rregulluar statusi i “Branitellave” në vitin 2002.

“Në mënyra të ndryshme BDI, në periudha të ndryshme kohore është munduar të bëjë zgjidhje dhe ka bërë zgjidhje për trajtimin e ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve në përgjithësi të UÇK-së apo të dëshmorëve. Unë këtu në përgjithësi kam pasur një qasje kritike të vet raportit që e ka dorëzuar z. Grubi në BDI ku në atë raport nuk është përmendur se kush është qasje rreth temës për të cilën folët ju. Edhe vazhdoj përsëri të ngrejë zërin që një nga temat kryesore të forcës poltike të BDI-së të jetë e lidhur ngushtë me UÇK-në, në kuptimin e historisë së saj dhe zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura që na kanë ngelur të vazhdimit të trajtimit të ushtarëve apo zgjidhjes së problemeve qoftë në korniza ligjore apo në forma tjera.
Unë jam dakord që BDI është mjaftë e pozicionuar në Qeveri, megjithatë, ky pozicionim dhe kjo forcë që buron nga votat e popullit, të kthehet tek populli me projekte konkrete, punë konkrete të realizuara konkretisht. Një nga to është trajtimi i UÇK-së dhe shumë të tjera kanë të bëjnë me jetën e qytetarit.
Përderisa nuk e ka në letër të shkruar se kush, çfarë brenda 3 viteve të qeverisjes së z.Grubi bashkë me gjithë stafin e ministrave, unë mendoj se do të vazhdoj të shpreh kënaqësinë apo pakënaqësinë time rreth asaj se çfarë është zgjidhur konkretisht”, tha Dehari, në Programin 200.