Dega e BDI-së në Çair po bëhet gati të përjashtojë Bujar Osmanin
Në betejën procedurale që ka filluar brenda BDI-së, lidhur me udhëheqësinë e degës së Çairit, ditëve në vijim priten zhvillime të reja dinamike, njoftojnë burime nga kjo degë partiake për portalin Lideri.mk.
Sipas tyre, në rast se nuk tërhiqet vendimi për emërimin e Bujar Osmanit për koordinator dege, atëherë përbërja aktuale e kryesisë së degës, do të fillojë shqyrtimin e mundësisë për përjashtim formal të Bujar Osmanit nga dega.
“Mendoj se statuti partiak na jep të drejtë të tillë si degë. Nëse sjellim vendim për përjashtim nga dega, Osmanit me automatizëm do t’i ndërpritet edhe anëtarësia në BDI, me çka ai nuk do të mund të ushtrojë asnjë detyrë ose post partiak, kurse ministër mund të mbetet vetëm si ekspert i shumë çështjeve, siç kemi filluar ta quajmë”, shprehet njëri prej tyre.
Përjashtimi eventual i Osmanit do të jetë vazhdimësi e përplasjeve mes Grupit të Zjarrit dhe Ahmetistëve në Çair, komunën që konsiderohet bastion i të parëve. Mirëpo propozimi formal për shkarkim është i natyrës tjetër dhe ka të bëjë me “punën e pandërgjegjshne” të Osmanit si Ministër i Punëve të Jashtme. Po parashtrohet pyetja se sa mund të jetë legjitim një përjashtim i tillë, deri sa kryetari i partisë Ali Ahmeti e ka caktuar personalisht Osmanin për koordinator të degës dhe kur “Ahmetistët” insistojnë se ky vendim është në pajtim të plotë me Statutin partiak?
“Në degë ka arritur propozim formal për shkarkimin e Osmanit për shkak të keqpërdorimit të veturave zyrtare të MPJ-së, që është konstatuar edhe nga sektori qeveritar për luftë kundër korrupsionit. Me keqpërdorimin e veturave zyrtare ai ka njollosur edhe emrin e partisë tonë, por edhe të degës, aq më tepër kur Maqedonia e Veriut është kryesuese e OSBE. Kjo është një arsye shumë legjitime për shkarkimin e tij, që ka bazë edhe në Statutin e partisë, por edhe në parimet politike të funksionimit të BDI-së”, shton ai.
Per momentin nuk pritet ndonjë iniciativë për përjashtim edhe të zv/kryeministrit Grubi nga anëtarësia në degën e Çairit, por vlerësohet se me përjashtimin e Osmanit edhe “Grubi do të marë mesazhin e nevojshëm”.
Ndryshe emërimi i Bujar Osmanit si koordinator i Degës së BDI-së në Çair ka shkaktuar edhe reagimin zyrtar e të ahstuquajturit “Grupi i Zjarrit” në BDI. Izet Mexhiti, sic njofton KlanM, e vlerëson si vendim ad-hoc, të pajustifikueshëm, një vendim inati dhe vendim nervoze, kurse edhe ai për Osmanin ka përdorë termin e ngjashëm “ekspert i shumë fushave”.
“Nuk ka të bëjë me cështjet e emërimeve personale, sa ka të bëjë me atë që është një akt jodemokratik, një akt që nuk përkon me statutin. Është një vendim jostatutar, jolelgjitim dhe një pozicion që nuk ekziston në programin e BDI-së. Thjesht është një vendim inati, një vendim revanshizmi që nuk kontribuon në rrugë të mirë për BDI-në, por përkundrazi e thellon ndarjen dhe përçarjen brenda BDI-së.” – ka deklaruar Izet Mexhiti.
Në statutin e BDI-së ka mënyra se si emërohet Kryetari i Degës, shprehet I prerë, Izet Mexhiti, raporton KlanM.
“Duhet të organizohet fushata, Kuvendi brenda partisë. Kjo nuk ka të bëjë me këtë. Është një vendim ad-hoc I pajustifikueshëm dhe I pakuptueshëm, nj ëvendim inati, nervoze. Në këtë mënyrë, nuk mund të zëvendësohet Kryetari i Degës. Sepse vendimi duhet të përkon me vullnetin e qytetarëve, strukturës dhe mbështetjes në terren” -thotë Izet Mexhiti.
Mexhiti, sic njofton KlanM, është prononcuar edhe për Bujar Osmanin.
“Sidomos te z.Osmani I cili nuk ka lënë resor pa u emëruar, si ekspert I shumë fushave; ekspert edhe I integrimeve, punëve të jashtme, shëndetësisë, zëdhënës partiak dhe në këtë rast I ngarkuaur në një çështje ku tërë partia duhet të involvohet rreth ndryshimeve kushtetuese dhe përmirësimit të raporteve me Bullgarinë. Në këtë situatë t`i len këto dhe të vjen e të merret me strukturën, të cilën nuk e ka për qejfi, për shkak se vërejtjet kryesore janë se këto funksionarë brenda 3 – 5 viteve e kanë vështirë qasjen në Çair” – thotë Mexhiti.