Maqedoni

Dauti: KShZ-ja me kohë ka dorëzuar materialin zgjedhor

Në Tetovë një ditë para zgjedhjeve të rregullta kanë kërkuar të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës 54 persona që vuajnë dënim në burgun e Tetovës, edhe 69 persona të sëmurë dhe ata që nuk janë në gjendje të dalin në vendvotim. Personat e burgosur, të drejtën e tyre të votës e kanë realizuar brenda hapësirës së burgut nga ora shtatë e mëngjesit, ndërsa një ekip mobile e Komisionit Zgjedhor Komunal, ka lëvizur nëpër shtëpitë e atyre që janë të pamundur, por që kanë shprehur vullnet për të votuar.

“Gjithsej sot nëpër burgjet e Maqedonisë së Veriut do të votojnë 83 të burgosur, ndërsa vetëm në burgun e Tetovës votojnë 54 të burgosur. Kemi një numër të personave prej 69 që janë paraqitur për ta realizuar të drejtën e tyre një ditë para zgjedhjeve në kushte shtëpiake. Shtatë persona kemi që kanë votuar e që janë të angazhuar si anëtar të këshillit zgjedhor në përfaqësitë diplomatike, kemi katër persona që janë jashtë përkujdesjes familjare dhe dy persona të shpërngulur jashtë vendit. Në këto momente bëjmë shpërndarjen e materialit zgjedhor dhe ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor një ditë para zgjedhjeve, pra nuk ka pengesa dhe i gjithë materiali zgjedhor i nevojshëm ka arritur në kohë nga ana e KShZ-së.”, – theksoi Nazmi Dauti nga Komisioni Zgjedhor Komunal.

Përndryshe, në Tetovë, nesër në gjithsej 117 vendvotime, të drejtën e tyre të votimit për zgjedhjet presidenciale, pritet ta realizojnë gjithsej mbi 86 mijë votues. Sa u përket komunave përreth, në komunën e Bogovinës, në 38 vendvotime do të votojnë mbi 28 mijë votues, Zhelinë, mbi 25 mijë votues në 35 vendvotime, në komunën e Tearcës 22.421 në 30 vendvotime në Bërvenicë votojnë në 24 vendvotime mbi 15 mijë votues dhe në komunën e Jegunocit do të votojnë 10.000 votues në gjithsej 21 vendvotimi./TVM2