Daçiqi si Millosheviqi, thotë se e do Kosovën pa shqiptarë
Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, thotë se shteti i tij do të donte që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave, pasi, sipas tij, gjysma e qytetarëve menjëherë do ta braktisnin Kosovën.
Shefi i diplomacisë serbe në një deklaratë për media, së fundmi, ka thënë se Serbia aspak nuk paraqet problem për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ne pajtohemi me këtë, por nuk po pranon Bashkimi Evropian. Por, pse nuk duan t’ua japin liberalizimin e vizave? Sepse e dinë që nëse e bëjnë këtë, gjysma e qytetarëve menjëherë do të shkonin në Bashkimin Evropian. Dhe, unë do të ndihmoja këtu”, ka thënë Daçiq, transmeton Telegrafi.
Këtë deklaratë të Daçiqit, i cili është zgjedhur Ministër i Jashtëm në qeverinë e re serbe, e ka publikuar anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste në Serbi, Boris Miliçeviq, që është ndihmës i ministrit për të drejtat e njeriut e të pakicave dhe dialogun shoqëror në Qeverinë e Serbisë.
Se e do Kosovën pa shqiptarë, njësoj sikurse shefi i tij në parti e pushtet Sllobodan Millosheviqi në vitet ’90-ta kur ushtria e policia serbe vrau mbi 10 mijë e dëboi mbi një miloon shqiptarë nga Kosova, Daçiq e tha edhe në vitin 2019, kur ishte ministër i Jashtëm, duke thënë se Serbia është pro që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave, në mënyrë që shqiptarët ta braktisin vendin e tyre.