September 28, 2024
Maqedoni

Çka lypi Daçiq në Shkup në 100 vjetorin e aviacionit të RMV dhe kush e ftoi?

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në përkujtimin e 100 vjetorit të aviacionit maqedonas, që u mbajt sot në aeroportin sportiv “Stenkovec” afër Shkupit foli edhe për marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Dy vendet tona kanë marrëdhënie vëllazërore, si dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm në kuadër të iniciativës për Ballkanin e Hapur dhe në forume të tjera rajonale”, tha Daçiq.

Ai shtoi se përmes kësaj ngarje do të përcjellin një mesazh politik se dy vendet janë të vendosura të forcojnë më tej marrëdhëniet për një të ardhme më të begatë për qytetarët e tyre.

“Serbia dhe populli serb i urojnë popullit maqedonas dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut fat dhe sukses në çdo gjë që dëshirojnë, dhe dhëntë Zoti që në këto zona të mos fluturojnë avionë ushtarakë me detyra ushtarake, por gjithçka të jetë brenda korniza e shfaqjeve ajrore në mënyrë që njerëzit të gëzojnë paqe dhe prosperitet. Ju uroj gjithë të mirat dhe një udhëtim të shpejtë drejt BE-së”, tha Daçiq.

Ende nuk është e qartë se kush e ftoi dhe çka kërkoi Daçiq në Shkup në 100 vjetorin e aviacionit maqedonas? Apo ndoshta bëhet fjalë për pretendimet serbe se shumë institucione dhe degë në Maqedoninë e Veriut janë themeluar në kohën e mbretërisë Serbo-jugosllave, respektivisht banovinës së Vardarit? Athua kush po i zyrtarizon këto pretendime serbe në Maqedoni?/Lideri.mk