Çfarë arriti dhe pse ishte i rëndësishëm Forumi i Ballkanit Perëndimor në Tiranë?
NGA PROF. DR. EDMOND PANARITI edmond-panariti
Forumi “Sfidat aktuale dhe të ardhshme politike të Ballkanit Perëndimor” u mbajt në Tiranë nën kujdesin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Forumi ishte një sukses dhe shënoi një arritje domethënëse për nga konstatimet e shkaqeve të ngërçit demokratik, atij politik dhe ekonomik të rajonit, duke sugjeruar edhe rrugëdaljet.
Në të morën pjesë ish-presidentë, kryeministra, ministra të Jashtëm, dhe ministra aktualë, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme të rajonit. Presidentët Fatmir Sejdiu, Stipe Mesic, Milo Gjukanovic, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu; ministri i Shëndetit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari dhe mjaft personalitete dhanë kontributin e tyre. Unë pata nderin të drejtoj një ndër panelet e këtij forumi. Në fjalën e këtyre personaliteteve të spikatura të rajonit, po veçoj disa çështje kryesore, të cilat mund të konsiderohen edhe si ndër më thelbësoret e forumit:
1. Rajoni i Ballkanit vuan nga mungesa e vijimësisë (inkonsistenca) e zbatimit të kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo ka sjellë atë që situata sot të degradojë edhe më keq se 20 vite më parë siç u shpreh Milo Gjukanoviç.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndihen të dekurajuara nga mungesa e përparimit në proceset integruese.
Ndërsa është lajm i gëzuar dhe për t’u përshëndetur, hapja e bisedimeve për anëtarësim nga BE me Moldavinë dhe Ukrainën, mbetet i habitshëm fakti që për këto vende për BE nuk përbëjnë problem në avancimin e bisedimeve të tyre për anëtarësim, çështjet e pazgjidhura të konflikteve të tyre të brendshme të karakterit bilateral. Dhe në fakt kështu duhet të jetë! Ato nuk duhet të jenë pengesë për procesin e integrimit të tyre Evropian. Por kjo u theksua në forum, nuk vlen për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ende mbahen peng në procesin e tyre të integrimit nga çështje të pazgjidhura midis tyre dhe fqinjëve anëtare të BE. Këta të fundit vendosin veto dhe mbajnë të bllokuar proceset. Rasti më tipik është ai i Maqedonisë së Veriut. Po kështu, përparimi i Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet evropiane kushtëzohet me çështje pezull të dialogut me Beogradin, ku spikat statusi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky status në fakt është pjesë e një pakete të veçantë kriteresh dhe kushtesh, të përfshira në të ashtuquajturin plan franko-gjerman dhe nuk duhet të dalë jashtë këtij konteksti.
2. Kjo paqartësi dhe konfuzion ka ndikuar dhe po ndikon për keq edhe në zgjidhjen e problemeve të brendshme të vendeve të rajonit.
3. Kjo situatë është ushqim për autokratët dhe kapjen e shtetit në rajon. Ata përfituan nga ky konfuzion dhe me nisma deformuese dhe minuese si ajo e ‘Ballkanit të Hapur’ po i largojnë edhe më shumë vendet nga trajektorja evropiane. Kjo trajektore ishte dhe mbetet vetëm një dhe ky është Procesi i Berlinit. Kjo u theksua veçanërisht nga Presidenti Meta. Rezultati i këtij kaosi devijant është instalimi i ekonomisë kriminale të trafiqeve dhe korrupsionit endemik në rajon.
4. Forumi theksoi nevojën e një ndryshimi rrënjësor kursi në rajon për të përshpejtuar proceset integruese dhe paqtuese në vendet e Ballkanit, të cilin ishkryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, e cilësoi si ndryshim revolucionar për ta futur rajonin në kohezion midis palëve dhe rivendosje të ekuilibrave të prishur demokratike dhe bashkëpunim ekonomik.
* Ish-ministër i Jashtëm