Sport

Çellsi nuk heq dorë nga Andre Onana, Interi ka gati zëvëndësimin

Portieri kamerunas po shkëlqen me Interin këtë sezon dhe drejtuesit e klubit londinez kanë bërë ofertën e parë, duke propozuar një këmbim kokë më kokë me spanjollin Kepa Arrizabalaga.

Natyrisht ky propozim nuk ka joshur zikaltrit, që janë treguar të gatshëm të shesin kamerunasin, por ose në këmbim të parave kesh, ose duke përfshirë në marrëveshje lojtarë si Çalobah apo Loftus-Çeek. I pari u kërkua nga Interi edhe verën e kaluar, teksa zikaltrit e shohin si zëvendësuesin ideal të Milan Skriniar. Për më tepër, Çalobah ka treguar se di të luajë në të tre pozicionet e mbrojtjes me tre, por edhe në rreshtimin me katër.

Nga ana tjetër, Loftus-Çeek është kërkuar edhe më herët nga zikaltrit, që asnjëherë nuk kanë gjetur formulën e duhur për të bindur Çellsin. Ndërkohë, Marotta e Ausilio kanë piketuar edhe pasuesin e Onanës, që duket se është italiani Guilielmo Vikario. Ky i fundit spikati te Kaljiari dhe prej dy sezonesh është pjesë e Empolit në Serinë A, teksa transferimi te Interi mund të arrihet për një shifër prej jo më shumë se 10-12 milionë eurosh.